Ditën e sotme ka pasur tensione në Maqedoninë e Veriut, pasi është kremtuar ditëlindja e Goce Delçev, i cili është një ikonë për maqedonasit dhe për bullgarët.
Përplasja ka ndodhur pikërisht mes këtyre shtetasve dhe sipas analistit Xhelal Neziri, i cili ka qenë i ftuar në emisionin “Ballkan Update” të gazetares Linda Karadaku në ABC News, këto tensione priteshin.
Sipas tij, në Bullgari po tentohet të rivendoset vetojë kundër integrimit të Maqedonisë në BE edhe pse pak vite më parë u hoq si pjesë e planit francez.
Neziri shton se pas këtyre tensioneve qëndrojnë edhe politikanë pro-rus bullgarë.
“Ishte një problem që pritej, pasi kohët e fundit ka pasur një tendencë për të pasur tensioneve mes dy shteteve.
Kemi një periudhë të tensionuar dhe kjo periudhe prodhoi edhe këtë mënyrë kremtimi të ditëlindjes së një prej figurave kryesore të historisë se Maqedonisë, që konsiderohet po aq i rëndësishëm edhe për bullgarët.
Kjo figurë përbën bërthamën e kontekstit mes dy vendeve. Një problem që ka dalë nga përfundimi i Luftës së Dytë Botëror.
Tensionet e sotme, mund të vihen edhe në kontekstin e mosmarrveshjes disa dekadëshe mes dy shteteve që kulmoi në vitin 2020, kur Bullgaria vendosi veton për nisjen e negociatave të Maqedonisë me BE.
Ky problem u la përkohësisht mënjanë për shkak të propozimit të planit francez.
Si duket qëllimi kryesor është “varrosja” e këtij plani dhe rikthimi i vetos. Kjo veto nuk do të sillte pasoja vetëm për Maqedonisë, por edhe për Shqipërinë.
Pas këtyre tensioneve qëndrojnë edhe figura politike, që janë hapur pro-rus dhe kanë një numër të konsiderueshëm deputetësh në parlament”, tha ndër të tjera Neziri.r.t/abcnews.al