Ka filluar përsëri kriza diplomatike mes Turqisë dhe Izraelit, pas dëbimit të ambasadorëve nga të dy vendet. Kurse në Rripin e Gazës është regjistruar kolaps në sistemin shëndetësor. Për këtë Izraeli ka dërguar 8 kamionë me ndihma.
Është një balet diplomatik i pashembullt që shkaktohet nga lëvizja e ambasadës amerikane në Jeruzalem dhe represioni i përgjakshëm izraelit i protestave palestineze. Pas vendimit të Donald Trump, duket se ka filluar një garë imitimi: e para është Guatemala, që inaguroi selinë diplomatike, të larguar me ngut nga Tel Avivi. Mund të jetë një vendim lidhur me vështirësitë e brendshme të presidenti Morales, të akuzuar në Guatemala për parregullsi në financimin e fushatës së tij zgjedhore. Por në fakt, veprimi i Uashingtonit lëviz balancën e konsoliduar.
Pasoja më e rëndësishme është kthesa prej 180 gradësh e politikës së Rexhep Tajip Erdoganit: pas ngrirjes diplomatike që pasoi sulmin izraelit në 2010 ndaj anijes që po udhëtonte për në Gaza, me vrasjen e nëntë aktivistëve turq, presidenti po afrohej me Izraelin, gjithashtu për të kapërcyer izolimin që lidhet me rrëzimin e avionit rus. Në vitin 2016, të dy qeveritë nënshkruan një marrëveshje pajtimi me të cilën, ndër të tjera, Turqia hoqi dorë nga të gjitha veprimet kundër ushtrisë izraelite.
Por tani marrëdhëniet janë rikthyer në minimumin historik: evolucioni i luftës në Siri ka shtyrë Ankaranë të riafrohet me Moskën dhe tani Erdogan duket i vendosur që të marrë drejtimin e botës muslimane për të kritikuar zhvendosjen e ambasadave dhe vrasjet në Gaza. Presidenti turk e ka përkufizuar si genocid atë të palestinezëve dhe e ka cilësuar Izraelin si “shtet terrorist” duke dekretuar 3 ditë zie kombëtare për të rënët në Rripin e Gazës. Ankaraja ka dëbuar ambasadorin izraelit dhe ka ftuar konsullin e saj të kthehet në Stamboll për pak kohë. Gjithashtu ka thirrur për të premten një mbledhje urgjente të Organizatës për Bashkëpunimin e Vendve Islamike.
Ndërkohë, në Gaza është regjistruar kolaps në sistemin e shëndetësisë. Pasi ushtria izraelite hapi zjarr duke vrarë mbi 60 palestinezë dhe duke plagosur 2700 të tjerë, situata sanitare në Rripin e Gazës është kritike, saqë Izraeli ka dërguar atje ndihma humanitare, 8 kmaionë me materiale mjekësore./abcnews.al