Këtë herë finalja nuk do të mbahet aty. Një mëkat që do të jetë në Nju Jork, apo më saktë në Nju Xhersi, dhe jo në “Azteka” të Meksiko Sitit ndeshja për trofeun e Kupës së Botës në 19 korrik.
Stadiumi I famshëm I Meksikës u bë I pari në historinë e botërorëve, e padyshim që do të jetë I vetmi të paktën për disa kohë, që ka organizuar tri ceremoni të hapjes.
Ceremonia e radhës u mbajt mbrëmjen e 11 qershorit, në prani të 87 000 spektatorëve, në prag të ndeshjes së parë të kësaj kupe të botës, mes Meksikës vendase dhe Afrikës së Jugut.
Në të kaluarën, këto shfaqje futbolli dhe artistike ishin në 1970 dhe 1986, kur fazat finale iu dhanë pikërisht Meksikës. “Azteka” është edhe i pari stadium që priti dy finale të Kupës së Botës, në 1970 kur Brazili mundi 4-1 Italinë dhe në 1986 kur Argjentina mundi 3-2 Republikën Federale Gjermane, të njohur si Gjermania Perëndimore.
Më pas, edhe “Olimpiko” i Romës dhe “Marakana” i Rio de Zhaneiros, u bënë me nga dy finale të tilla. Ata që cilësohen si dy yjet më të mëdhenj në historinë e futbollit, të paktën deri në daljen në fushë të Lionel Mesit, pra Pele dhe Maradona, e fituan në këtë impiant trofeun e tyre të artë.
Në “Azteka” është luajtur ajo që njihet si “Ndeshja e Shekullit”, gjysmëfinalja e botërorit 1970 mes Italisë dhe Gjermanisë Perëndimore, fituar nga Të Kaltrit 4-3 pas kohës shtesë.
Po ashtu, në atë fushë mitike u shënuan dy golat ndoshta më të rrallë në historinë e këtij turneu, ai I “Dorës së Zotit” dhe “Goli I Shekullit”, që të dy nga Diego Armando Maradona, në të njëjtën ndeshje, në çerekfinalen e vitit 1986 fituar nga Argjentina ndaj Anglisë me rezultatin 2-1.



