Sondazh

Kupa e Botës, shkon:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Tempull ilir në Bushat/ ABC News në kodrat e Rruplajës, në gjurmët e kompleksit religjioz

schedule12:30 - 24 Qershor, 2026

schedule 12:30 - 24 Qershor, 2026

Historia duket se fshihet nën këmbët tona dhe pret të rizbulohet. Ndodhemi në Bushat, në kodrat e Rruplajës, aty ku arkeologët kanë nxjerrë në dritë gjurmë të një tempulli që i përket qytetërimit ilir nga shekulli IV-II para erës sonë dhe mund të ndryshojë edhe mënyrën se si ne e njohim historinë e veriut të Shqipërisë.

Nga lart, kodrat e Rruplajës duken të qeta. Por nën këtë peizazh fshihen dëshmi të një qyteti që ka ekzistuar më shumë se dy mijë vite më parë.

Gërmimet e misionit shqiptaro-polak kanë zbuluar gjurmë të një kompleksi me funksion religjioz, i cili sipas specialistëve përbën një rast të rrallë për arkeologjinë e veriut.



Kërkimet në Bushat kanë nisur prej vitit 2018, duke ndjekur gjurmë të evidentuara dekada më parë. Pas zbulimit të fortifikimeve të qytetit antik, arkeologët kanë vijuar të zbulojnë elementë të rinj që po ndihmojnë në rindërtimin e historisë së këtij vendbanimi.

Pozicioni dominues i kodrës nuk duket të ketë qenë rastësor.

Nga kjo pikë kontrollohet një territor i gjerë dhe dallohen dhjetëra fortifikime të tjera që shtrihen nga Shkodra drejt Lezhës dhe më tej.

Për të garantuar mbrojtjen e këtij thesari arkeologjik, i gjithë siti është shpallur zonë e mbrojtur e kategorisë A.

Prej vitesh studiuesit hedhin hipotezën se ky zbulim mund të jetë Basania e përmendur në burimet historike, por për ta vërtetuar këtë nevojiten ende prova të tjera.

Edhe pse shumë pyetje mbeten pa përgjigje, çdo sezon gërmimesh në Bushat duket se po zbulon copëza të reja historie që i përkasin periudhës ilire dhe sipas arkeologëve Bushati dhe këto zbulime mund të jenë vetëm maja e ajsbergut.

Nga kodrat e Rruplajës, për ABC News, Kasandra Pali

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!