Për shkak të motit prej datës 2 janar të gjitha anijet e peshkimit janë të bllokuara në mol në Portin e Durrësit. Kjo ka ndikuar jo vetëm për ekonominë e peshkatarëve, por në tregun vendas mungojnë prodhimet e detit.
Era e fortë, shoqëruar me det të dallgëzuar dhe temperatura nën zero, ka ndikuar në aktivitetin e peshkatarëve.
Dhjetra anije në Durrës qëndrojnë të ankoruara në mol që prej 2 janarit në pritje të përmirësimit të kushteve atmosferike.
“Viti 2019-të nuk ka nisur mbarë për sektorin e peshkimit. Moti i paqëndrueshem shoqëruar me erë të forte dhe detë të dallgëzuar e mban këtë sektor të bllokuar prej ditësh, duke mos e zhvilluar aktivitetin e peshkimit në det”.
Mosdalja për gjueti ka ndikuar në mos furnizimin me prodhime deti tregun vendas. Kurse nga ana tjetër ka rënduar gjendjen ekonomike të mbi 400 peshkatarëve të cilët të vetmin burim ekonomik e kanë nga peshkimi. Kjo situatë pritet të zgjasë përtej 8 ditëshit të parë të Janarit.
Një njoftim i Drejtorisë së Përgjithshme Detare mbi situatën metereologjike në detin Jon dhe Adriatik, paraqiti mot të pafavorshëm për lundrim, kryesisht të anijeve të tonazhit të mesëm dhe të ulët edhe për ditët në vijim.
Për të shmangur incidentet, është kërkuar pezullim i lundrimit, deri në një njoftim të dytë.
Gazetare e ABC News, Durrës: Enkeleda Arapi
/abcnews.al