OKB bashkë me Evropian Copernicus në një studim të fundit të publikuar kanë theksuar se temperatura në Evropë janë rritur me 2,3°C krahasuar me epokën para-industriale (1850-1900), me një ritëm dy herë më të shpejtë se mesatarja globale që nga vitet 1980.
Sipas studimit në një kohë kur temperatura globale është rritur me 1.2°C për shkak të emetimeve të gazeve që shkaktojnë efektin serë, “Evropa është pjesa e botës që po ngrohet më shpejt “, kujton profesor Petri Taalas, Sekretari i Përgjithshëm i Botës.
Ndërkohë Organizata Botërore Meteorologjike në nëntor kishte njoftuar se temperatura e Evropës po rritej me një normë prej 0.5°C në dekadë , domethënë dy herë më shpejt se mesatarja e pesë rajoneve të tjera meteorologjike të planetit.
Në pjesën më të madhe të Evropës, “temperaturat më të larta kanë përkeqësuar thatësirat e rënda dhe të përhapura, kanë nxitur zjarre të ashpra pyjore që janë përgjegjëse për zonën më të madhe të djegur të regjistruar ndonjëherë në kontinentin evropian dhe kanë shkaktuar vdekje të tepërta në mijëra për shkak të valëve të të nxehtit”, ka thënë studiuesi Petri Taalas.
Sipas bazës së të dhënave të urgjencave (EM-DAT), ngjarjet ekstreme meteorologjike, hidrologjike dhe klimatike në Evropë në vitin 2022 prekën drejtpërdrejt 156,000 njerëz dhe shkaktuan 16,365 vdekje, pothuajse ekskluzivisht për shkak të valëve të të nxehtit.
Që nga viti 1980 , fatkeqësitë meteorologjike kanë shkaktuar vdekjen e 195,000 njerëzve. Humbjet ekonomike, të lidhura kryesisht me përmbytjet dhe stuhitë, vlerësohen në rreth 2 miliardë dollarë për vitin 2022, shumë më pak se 50 miliardë dollarët e vitit 2021 për shkak të përmbytjeve./abcnews.al

