Partizani u mposht në shtëpi nga Skënderbeu me rezultatin 1-2 dhe pjesëmarrja në Europë sezonin e ardhshëm, po vihet në diskutim. Mesfushori i të kuqve, Bruno Telushi, pranoi për Supersport pas ndeshjes se në rast se “Demat” nuk arrijnë një vend në Kupat e Europës, do të ishte një dështim i madh.
“E filluam ndeshjen mirë me rastet e krijuara, por nuk arritëm të shënonim. Kush gabon, e pëson në futboll. Kjo ndeshje e sotme u vendos nga episodet. Gabuam më shumë, shënuam një gol më pak.
Skënderbeu me 2 raste që krijuan, shënuan dhe fituan. Nuk ishim në ditën tonë më të mirë, por dhe keq nuk shkuam. Po të shënonim, ndeshja do ishte më mirë. Duhet të japim maksimumin për të shkuar në Kupat e Europës, ndryshe do të ishte një dështim i madh”, përfundoi Telushi./abcnews.al