Teliti: Rama shkatërroi vendin, s’mund të vazhdojë braktisja e fermerëve

schedule12:38 - 12 Shkurt, 2021

schedule 12:38 - 12 Shkurt, 2021

 “Rama ka shkatërruar ekonominë tonë, ka rritur koston e jetesës, ka rritur papunësinë dhe varfërinë. Rama shkatërroi vendin tonë dhe na bёri tё humbim shpresën”, kështu u shpreh gjatë fjalës së tij Dorian Teliti në prezantimin e planit për bujqësinë .

Lexo edhe: “Shqipëria fiton bujqësinë”, Basha: 100 milionë euro në vit për fermerët shqiptarë

Teliti gjithashtu theksoi se nëpërmjet skemave ekzistuese të subvencionimit kanë përfituar vetëm 1.5% e fermerëve, dhe kjo pasi qeveria dhe drejtuesit e bujqësisë shqiptare janë ulur këmbëkryq në shërbim të interesave klienteliste.

Pjesë nga fjala:

“Ndonëse toka shqiptare është e bekuar, kemi ujë, fusha e një klimë të jashtëzakonshme, çdo vit Shqipëria importon tre herë më shumë sesa eksporton, plot 1 miliardë dollarë produkte bujqësore e ushqimore importohen, tregues i qartë i hendekun galopant që ekziston mes propagandës së qeverisjes dhe realitetit ekonomik. 

Aktualisht, importojmë dy herë më shumë produkte bujqësore se Maqedonia fqinje. Pavarësisht se ka një kontribut që mund të shkojë deri në 1/5 e Prodhimit të Brendshëm Bruto, bujqësia zë vetëm 2%, e ripërsëris vetëm 2% të buxhetit vjetor të qeverisë.

Po kështu, niveli i kreditimit nga sektori bankar mbetet i papërfillshëm me rreth 1% të portofolit të saj. Nëpërmjet skemave ekzistuese të subvencionimit kanë përfituar vetëm 1.5% e fermerëve, dhe kjo pasi qeveria dhe drejtuesit e bujqësisë shqiptare janë ulur këmbë kryq në shërbim të interesave klienteliste.

Nuk është rastësi që Shqipëria përmbytet çdo vit, ndërkohë që 2/3 e tokës bujqësore vuan nga aksesi në ujë, duke sjellë që sot 35% e tokës arë të mos kultivohet e të lihet djerrë. Nga ana tjetër, klima mbytëse në biznes dhe efektin zinxhir në ekonominë bujqësore e atë rurale, ka bërë që mijëra ferma e sipërmarrje të vogla në sektorin e agropërpunimit të mbyllen, një fenomen qe ka prekur sidomos zonat kodrinore e malore të vendit, ç’ka ka thelluar papunësinë e varfërinë, duke shkaktuar emigrimin masiv të popullsisë. Mungesa e investimeve të qenësishme në infrastrukturën bujqësore, kombinuar me një skemë subvencionimi klienteliste, ka bërë që rendimenti prodhues në bujqësinë shqiptare të jetë 30% më i ulët se rajoni. Ndërkohë, krahasuar gjithmonë me vendet e rajonit, kostot e prodhimit janë 30% më e lartë.

Me pak fjalë, prodhojmë shumë pak, dhe njëherazi prodhojmë shumë shtrenjtë. Nga qindra mijëra ferma bujqësore në vend, vetëm 10.000 prej tyre kanë traktor për të punuar tokën. Dhe sikur këto fakte tejet shqetësuese të mos mjaftonin, favorizmi dhe monopolet e tregtarëve ushqimorë, kanë bërë që cilësia e dobët e ushqimeve të tregtuara në vendin tonë, të cilat janë ende larg  standardeve të kërkuara,  të kthehen shpesh here në rrezik për shëndetin publik.

Konsumatori shqiptar sot paguan çmime për produktet ushqimore që krahasohen me mesataren europiane, shpesh here dhe më shtrenjtë madje, ndonëse të ardhurat për frymë janë ku e ku më të ulëta. Kjo braktisje masive e fermerëve nuk mund të vazhdojë më. Fermeri shqiptar meriton të fitojë, meriton që mundi i tij të shpërblehet, meriton një qeverisje që e mbështet atë realisht.Pa bujqësi, Shqipëria nuk ka një ekonomi të fortë”, tha më tej Teliti.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!