Telashe për “Los Colchoneros”, buzëqeshin Inter dhe Kombëtarja shqiptare

schedule21:01 - 11 Shkurt, 2024

schedule 21:01 - 11 Shkurt, 2024

Lajme të këqija për Atletico Madridin. Sulmuesi kryesor i “Los Colchoneros”, Alvaro Morata pësoi një dëmtim të rëndë në transfertën “andaluziane” ndaj Sevilla dhe la fushën e lojës mes lotësh, pasi u përplas me një mbrojtës kundërshtar në fundin e pjesës së parë dhe u largua nga fusha me ndihmën e mjekëve, teksa paraprakisht dyshohet për një këputje të ligamenteve.

Sulmuesi spanjoll do të kryejë testet mjekësore vetëm të hënën, megjithatë nëse konfirmohet këputja e ligamenteve, atëherë Morata do të duhet t’i nënshtrohet një operacioni dhe të qëndrojë larg fushave për të paktën 6 muaj. Në këtë mënyrë sulmuesi do të mbyllte para kohe jo vetëm sezonin, por nuk do të arrinte të rikuperohej as për Kampionatin Evropian.

Mungesa e “bomberit” mund të penalizojë jo pak skuadrën e Atletico Madrid, që vetëm spanjollin ka qendërsulmues të mirëfilltë, teksa në repartin e avancuar ka edhe Griezmann, Depay e Correa, mirëpo në telashe është edhe trajneri i Spanjës, De la Fuente, pasi do të duhet të bëjë plane me të tjerë sulmues për Kampionatin Evropian, me “La Furia Roja” që bën pjesë në të njëjtin grup me Shqipërinë, Italinë e Kroacinë. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!