Tekste falas në përdorim dhe për nxënësit e klasave të pesta

schedule12:45 - 2 Gusht, 2019

schedule 12:45 - 2 Gusht, 2019

Vitin që vjen nuk do të jenë më vetëm nxënësit nga klasa e parë në të katërt që do të përfitojnë tekste falas në përdorim. Qeveria ka vendosur që librat shkollore pa pagesë t’i marrin edhe nxënësit e klasave të pesta.

Vitin e ri shkollor tekste falas në përdorim do të marrin dhe nxënësit e klasave të pesta. Qeveria e ka vendosur në mbledhjen e radhës të saj. Librat do të blihen nga shkollat dhe çmimi i tyre do të mbulohet 100% nga fondet e buxhetit të shtetit miratuar për Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinise.  Vendimi i Këshillit të Ministrave miratuar më 31 Korrik thotë:

“Institucionet arsimore publike, si dhe zyrat vendore të arsimit parauniversitar, brenda muajit korrik të çdo viti, përgatisin listën e parashikuar të teksteve për përdorim falas dhe të reja, nga klasa e parë deri në klasën e pestë.”

Për herë të parë vitin e shkuar shkollor qeveria vendosi që përveç kategorive të veçanta dhe nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e katërt të pajiseshin me tekste shkollore falas në përdorim.

Kjo i kushtoi buxhetit të shtetit rreth 610 milionë lekë. Me përfundimin e shkollës, librat janë fshirë nga nxënësit dhe janë dorëzuar nëpër shkolla me qëllim që tekstet e vlefshme të ripërdoren nga brezi i ardhshëm./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!