Nënshkrimi i Deklaratës për Personat e Zhdukur më 2 maj në Bruksel është bërë temë debati në seancën e sotme (e enjte) të Kuvendit të Kosovës. Nga Qeveria e Kosovës kanë thënë se përmes kësaj deklarate, Serbia pranon për herë të parë krimet e bëra gjatë luftës në Kosovë, mirëpo deputetët opozitarë kritikuan kryeministrin Kurti se ka gabuar ku ka pranuar të largohet termi “persona të zhdukur me dhunë”, i cili sipas tyre njihet edhe në konventat ndërkombëtare.
Por, zëvendëskryeministri, njëherësh kryenegociator i dialogut me Serbinë, Besnik Bislimi tha se ka dokumente të Gjykatës Evropiane të Drejtave të Njeriut që i referohen termit “persona të zhdukur me forcë”, siç figuron në deklaratën e nënshkruar.
Madje, Bislimi paraqiti një dokument që sipas tij është dakorduar në vitin 2020 nga Qeveria Hoti, që sipas tij, ka zero brengë për personat e zhdukur. Përkatësisht me këtë, ai tha se s’ka asnjë barazim në krime në Deklaratën për Personat e Zhdukur.
Të kundërtën e kësaj e tha deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, i cili theksoi se nënshkrimi i deklaratës ku hiqet termi “persona të zhdukur me dhunë” është gabim historik dhe kombëtar i Kosovës.
Ndërkaq, shtoi se Qeveria Hoti e ka pasur top prioritet çështjen e personave të zhdukur. Në debat u përfshi edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila tha se përmes nënshkrimit të Deklaratës për Personat e Zhdukur, Serbia pranon për herë të parë krimet e bëra në Kosovë gjatë luftës së fundit.
Ajo përmendi edhe disa deklarata të ish-eksponentëve të PDK-së që sipas saj kërkonin të amnistoheshin gjitha krimet e bëra gjatë luftës në Kosovë. Në anën tjetër, në reagimin e saj deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, u shpreh e habitur me këto deklarata të ministres Haxhiu. Ajo insistoi se termin “të zhdukur me forcë” nuk njihet në konventat ndërkombëtare.
Në debat u inkuadrua edhe deputeti tjetër i LDK-së, Kujtim Shala, i cili paraqiti argumentet e tij se pse në Deklaratën për Personat e Zhdukur, Kosova barazohet me Serbinë për këtë çështje. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, më 2 maj në Bruksel kanë nënshkruar Deklaratën për Personat e Zhdukur./KP