Ish- ministri i jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati është shprehur se konfliktin Kosovë-Serbi mund ta zgjidhë vetëm SHBA dhe BE. Sipas tij për zgjidhjen e konfliktit mes dy vendeve, duhet unitet transatlantik.
Bushati në emisionin “Real Story” të Sokol Ballës theksoi se vendet e tjera përfshirë edhe Shqipërinë janë shumë të vogla për ta zgjidhur këtë çështje.
Por ai paralajmëroi se nëse i hapet dera disa faktorëve të tjerë atëherë do të ketë të tjera pazare.
“Jemi shumë të futur për t’u futur në këtë lojë. Na duhet një unitet transatlantik. Pa SHBA s’mund të zgjidhet. Nuk duhet të diskutojmë po ikë Trump dhe po vjen Biden. Për ne SHBA-të janë SHBA. Jemi shumë të vegjël. Mund të kemi simpati, por jemi shumë të vegjël. Pa përfshirjen e BE, Gjermania dhe Franca, edhe Britania e Madhe nuk mund të zgjidhjet ky proces.
Ne me vetëdije hapim derën për aktorë të tjerë, atëherë do futemi në pazare të tjera. Ndoshta ky hall, ky problem, duhet të na sjellë me këmbë në tokë. Nuk jemi ne qendra e botës, as nuk kemi qenë. Duhet të fillojmë si të bëjmë një listë parimesh.
Të bëjmë një listë me linja të kuqe. Nëse nuk nxjerrim mësime, do të vendosim edhe më shumë në pikëpyetje, arritjet dhe fitoret tona në të shkuara. Na duhet unitet në faktorin politik shqiptar. Që kur filloi ideja e shkëmbimit të territoreve nisi debati mes faktorëve”, tha Bushati.