Histori nga më të ndryshmet në prag të ndeshjes së Ligës së Kampionëve në Spanjë. Fundjava solli ngjarje të padëgjuara nga tifozët, madje edhe nga një pilot i forcave ajrore amerikane.
Futbolli gjithnjë ka të veçantat e tij, sidomos finalet.
Histori të padëgjuara krijohen ndërsa afron pragu i një ndeshjeje të madhe në ligat e Evropës, apo në Ligën e Kampionëve.
Bujë ka bërë vendimi i një tifozi të Liverpulit që udhëtoi drejt Madridit me një makinë të vjetër, të blerë për rreth 45 euro, një çmim i çmendur edhe për Anglinë.
Sajmën Uilson nuk pranoi të shpenzonte 800 paundë stërlina për biletën e avionit, dhe bëri sakrificën e tij.
Me makinën e tij çeke, të markës Skoda, ai e dokumentoi udhëtimin e tij duke e filmuar rrugën e gjatë prej 22 orësh.
Një tjetër tifoz që ka tërhequr vëmendjen në Madrid, ishte gjithashtu i Liverpulit, dhe ishte një sozi e trajnerit Jurgen Klop.
Djaloshi anglez i paidentifikuar u bë një nga objektet më të mëdha të interesimit të tifozëve të tjerë, sidomos e atyre liverpulas, që kanë një admirim dhe respekt të thellë për trajnerin e tyre nga Gjermania.
Bisedat, fotot dhe videot në krah të tij ishin një mënyrë shumë interesante për të kaluar kohën deri në fillimin e ndeshjes.
Gjithsesi, një veçanti edhe më e madhe erdhi andej nga nuk pritej.
Normalisht, nuk mendohet që ushtarakët në detyrë, sidomos në shërbim e sipër, të mendojnë për ndjenjat e tyre të futbollit.
Nuk ndodhi kështu me një pilot të forcave ajrore të Flotës Detare të Shteteve të Bashkuara.
Gazetat angleze botuan foton e pilotit të avionit F/A 18 Super Hornets, me shallin e Liverpulit të shpalosur në kabinë.
Nuk dihet se cili ishte ky pilot dhe cilës aeroplanmbajtëse i përkiste avioni I tij, por veprimi bëri përshtypje në gjithë botën./ABC News Albania 24/7