Në Gjadër të Lezhës, oborri i shkollës së fshatit u kthye në një skenë tradite, ku dhjetëra banorë u bënë bashkë për të rikrijuar dasmën tradicionale zadrimore. Çdo pjesëmarrës kishte rolin e tij, duke sjellë me besnikëri ritualet, këngët dhe atmosferën që për dekada kanë shoqëruar këtë traditë të njohur të zonës së Zadrimës.
E kuqja e ndezur e veshjeve tradicionale binte menjëherë në sy, duke i dhënë edhe më shumë identitet dhe ngjyra këtij aktiviteti kulturor. Edhe pse sot është e vështirë të ruhen të gjitha elementet autentike, tradita e kërkon që dasma të nisë disa ditë përpara, deri në kulmin e saj në ditën e ceremonisë.
Këngët dhe vallet tradicionale ishin një tjetër element që e bënte të veçantë këtë performancë kulturore. Tingujt karakteristikë të Zadrimës shoqëruan çdo moment, ndërsa pjesëmarrësit interpretuan ritualet sipas zakoneve të trashëguara brez pas brezi.
Për organizatorët dhe banorët, kjo është edhe një mënyrë për t’ua prezantuar të rinjve trashëgiminë kulturore dhe për të nxitur ruajtjen e saj në vazhdimësi. Interesi dhe pjesëmarrja e të rinjve tregoi se tradita vazhdon të tërheqë edhe brezin e ri.
Atmosfera festive tërhoqi edhe vizitorë të huaj. Dy turistë që po udhëtonin me biçikleta në zonë, ndryshuan itinerarin pasi dëgjuan muzikën tradicionale nga larg dhe u ndalën për të parë nga afër ceremoninë, duke mbetur të mahnitur nga ajo që panë.
Rreth 100 persona u përfshinë në realizimin e dasmës zadrimore në Gjader, ndërsa në fund emocionet dhe kënaqësia ishin të dukshme për të gjithë pjesëmarrësit. Aktiviteti nxiti edhe shumë banorë të tjerë të nxirrnin nga arkat veshjet tradicionale dhe t’i vishnin sërish, duke i dhënë edhe më shumë bukuri dhe vlerë këtij rikthimi të traditës./abcnews.al


