“Të vazhdojmë partneritetin me aleatët”, Ibishi: E rëndësishme të kemi koordinim me KFOR dhe EULEX për sigurinë

schedule16:30 - 23 Shkurt, 2024

schedule 16:30 - 23 Shkurt, 2024

Këtë të premte, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i është drejtuar Albin Kurtit me një mesazh të qartë: mos i prish marrëdhëniet me aleatet më të fuqishëm të vendit. Ajo ka theksuar se Kosova nuk mund të ketë sukses pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që sipas saj kanë marrëdhënie ekzistenciale.

Në një lidhje me Skype për “Ballkan Update”, këtë deklaratë të Osmanit, e komentoi eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi. Ai theksoi se duhet të vazhdojmë partneritetin me aleatët dhe se e rëndësishme është të kemi koordinim me KFOR dhe EULEX për sigurinë.

Sakaq, Ibishi ka theksuar se siguria në Veri të Kosovës është e lartë, pasi KFOR ka katërfishuar forcat.

“Situata përgjithësisht është e tensionuar, por që brenda Kosovës, flasim për tendencat e Serbisë për ta destabilizuar Kosovën nga jashtë, por dhe me mundësinë e një lufte hibride. Përgjithësisht KFOR i është përgjigjur menjëherë me ngritje të kapaciteteve, duke i rritur forcat, janë katërfishuar forcat në katër komunat në Veri të Kosovës, janë katërfishuar kontrolli i kufirit me Serbinë dhe normalisht policia e Kosovës kryen detyrat sipas mandatit të saj, duke mbajtur rendin dhe sigurinë publike.

Është me rëndësi të ketë koordinim dhe bashkëpunim me prezencën ndërkombëtare të sigurisë, KFOR-in dhe EULEX-in dhe gjithë andej me të gjithë këto përforcime që në një formë kanë vënë sigurinë karshi gjithë atyre kërcënimeve, jo vetëm ndaj Serbisë, por edhe ndaj kërcënimeve të reja për Ballkanin që vijnë nga tendencat gjeostrategjike të përfshirjes të mundshme të hapjes së një konflikti që hapet nga Rusia”, u shpreh eksperti i sigurisë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!