“Të sillemi si komb serioz”, Rama: Shqipëria duhet të buzëqeshë, fushata elektorale vjen pas kësaj

schedule10:56 - 6 Prill, 2021

schedule 10:56 - 6 Prill, 2021

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar këtë të martë takim me strukturat e Partisë Socialiste në Korçë.

Rama theksoi se PS do t’i kthejë buzëqeshjen të gjithë shqiptarëve dhe se vaksinimi masiv është një proces që nuk do të ndalet.

Po ashtu kryeministri deklaroi se qëllimi është që Shqipëria të buzëqeshë  dhe se fushata elektorale vjen pas kësaj.

“Pavarësisht bindjeve politike, statusit social çdo jetë dhe çdo shqiptar e shqiptare është një vlerë e çmuar e këtij vendi dhe nuk mund ta vëmë në rrezik për disa shfaqje të pakuptimta. Jemi në mesin e një lufta që e ka karakterizuar këtë qeverisje. Jo nga dëshira jonë, por kemi hyrë në një luftë me dy fronte, me dy fatkeqësi të mëdha. Me një tërmet katastrofik që la pa çati mijëra familje…dhe një virus i cili gjunjëzoi mbarë botën.

Jemi këtu sot në një moment të kësaj luftë kur kemi filluar kundërsulmin për ta nxjerrë jashtë nga jetët tona duke garantuar procesin e vaksinimit masiv që në këtë rajonin toni nuk ishte diçka e lehtë. Jemi vetëm njëri nga dy vendet që po bën vaksinim masiv. Po garantojmë mbrojtjen e jetës së gjyshërve në radhë të parë për të vijuar më tej pa dallim.

Por vaksinimi masiv duhet garantuar nga distancimi i përgjegjshëm. Nuk mund të krijojmë vatra infektimi për vota. Shikojini numrat e infektimeve në Kosovë dhe fatkeqësisht numrin e jetëve të humbura, shikojeni edhe në Malin e Zi.

Deri para zgjedhjeve situata dukej rozë, ndërsa sot ka hyrë në një spirale shqetësuese. Kujt i duhet kjo? A nuk e bëjmë dot ne një fushatë elektorale si njerëz të përgjegjshëm? Si u bëkemi ne lolo duke sfiduar një armik të padukshme që nuk do t’ja dijë për trimëri. Kjo është e tmerrshme siç është e rëndë situata ku ne kemi përballë një opozitë e cila sa ndodh diçka bëhet palë me të keqen. Vaksinat nuk janë ilaçe çudibërëse.

Vetëm këtë që duan të nxisin dëshpërim për politikë në funksion të një qëllimi mizerabël është fatkeqësi e madhe. Por këtë nuk kemi si ta zgjidhim. Por apeli im është që të sillemi si një komb serioz si një bashkësi njerëzish që nuk bëhen qesharak dhe kur ndodh një fatkeqësi të jemi të bashkuar. Ne duhet të jemi të bashkuar sepse duhet ta fitojmë patjetër këtë luftë siç po fitojmë luftën me pasojat e tërmetit”, tha Rama.

/abcnews.al/