Të shurdhohesh nga kufjet

schedule16:15 - 23 Qershor, 2019

schedule 16:15 - 23 Qershor, 2019

Kufjet për të dëgjuar muzikë janë bërë pjesë e pandashme e të rinjve, por kjo tendencë e tyre po shihet me shqetësim nga mjekët. Specialistët apelojnë për kujdes, ndërsa shprehen se përdorimi sistematik i tyre çon deri në shurdhim.

Rruga bëhet më e këndshme, por kjo mund të shoqërohet me kosto të lartë. Përdorimi sistematik i kufjeve për të dëgjuar muzikë mund t’ju çojë deri në shurdhim. Tendenca e të rinjve shihet me shqetësim nga mjekët otorinolaringolog.

“Me përdorimin kronik të kufjeve për një periudhë mbi tre-mujore e sipër mund të japë dëmtime kronike të nervit të dëgjimit. Niveli i zhurmës që të japë dëmtime kronike duhet të jetë mbi 80 decibel, pra 65-70 mund të jetë niveli i zhurmës që prodhohet kur bashkëbisedojmë. Mund të shkaktojë dhe probleme të tjera, janë dhe infeksionet e kanalit”, tha mjekja Anjeza Kuçi.

Mjekët shpjegojnë se problemet nuk shfaqen në mënyrë të menjëhershme ndërkohë apelojnë për kujdes.

“Pas përdorimit mbi tre muaj gradualisht mund të ndiejë një zhurmë në vesh. Gjatë bashkëbisedimit me të tjerët, mund të humbë informacion, mund të ngatërrohen fjalët, shpeshherë disa fjali mund të mos i dëgjojë të gjitha dhe kjo i krijon probleme, të cilat nëse pacienti nuk paraqitet direkt tek mjeku mund të krijojë probleme kronike, dëmtime të nervit të dëgjimit, të cilat mund të jenë edhe të parikthyeshme”, u shpreh Kuçi.

Rënia e nivelit të dëgjimit sipas specialistëve nis pas të 40-tave, por të shumte janë 20-vjeçarët që aktualisht po shfaqin këtë problem. Veç uljes së dëgjimit, zhurmat e vazhdueshme shkaktojnë stres madje dhe neurozë./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!