Të shtënat me armë në Laç/ Policia jep versionin zyrtar: Çfarë ndodhi mes efektivit dhe dy personave të armatosur

schedule10:47 - 12 Dhjetor, 2023

schedule 10:47 - 12 Dhjetor, 2023

LEZHË- Policia ka dhënë detaje për ngjarjen e rëndë në Laç, ku dy persona të armatosur kanë qëlluar në ajër me armë zjarri sapo kanë parë inspektorin e Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Lezhë, Dhurim Mitku, 23 vjeç.

Sipas dëshmisë së efektivit, në këto kushte ai është kundërpërgjigjur duke qëlluar me armën e shërbimit nga brenda automjetit të tij.

Fatmirësisht nga të shtënat me armë nuk ka pasur persona të lënduar. Sakaq, makina e efektivit thotë policia është dëmtuar si pasojë e të shtënave, të kryera nga vetë 23-vjeçari.

Sqarimi i i policisë:

Rreth orës 21:00, të mbrëmjes së kaluar, punonjësi i Policisë, shtetasi Dhurim Mitku 23 vjeç, banues në Laç, me detyrë inspektor i Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Lezhë, ka kallëzuar se sapo ka dalë nga banesa, për në punë, me automjet privat, ka parë në rrugë, në vendin e quajtur “Rruga e Sanxhakut”, 2 shtetas të armatosur, të cilët sipas dëshmisë së 23-vjeçarit, sapo e kanë parë atë, kanë qëlluar me armë zjarri, në ajër.

Në një situatë të tillë, punonjësi i Policisë është kundërpërgjigjur, duke qëlluar nga brenda automjetit të tij, me armën e shërbimit. Nga të shtënat nuk është dëmtuar asnjë shtetas.

Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje, si dhe është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili po punon intensivisht, në drejtimin e Prokurorisë së Lezhës, për të fiksuar çdo provë qe do të çojë në sqarimin e rrethanave dhe të mekanizmit të ngjarjes, si dhe në zbardhjen e së vërtetës mbi këtë rast.

Aktualisht, nga këqyrja e vendit të ngjarjes rezulton se është dëmtuar automjeti i punonjësit të Policisë, nga qitjet me armë zjarri të kryera nga vetë punonjësi, nga brenda automjetit. Në vendngjarje nuk konstatohen gëzhoja, gjurmë apo prova të tjera materiale që mund t’iu përkasin shtetasve të kallëzuar nga punonjësi i Policisë. Me qëllim hetimin e plotë të rastit dhe sqarimin e rrethanave të tij, te grupi i posaçëm hetimor është përfshirë dhe struktura vendore e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!