Të shtëna me armë janë regjistruar mbrëmjen e sotme në Shkodër. Sipas burimeve, një plumb ka thyer xhamin e një dritareje në një banesë në lagjen “Skanderbeg”.
Nga hetimet e para dyshohet se në afërsi të zonës të njohur si Penda e lumit Kirit që ndodhet përballë me banesën në pronësi të Pal Sokolit, është shtënë me armë zjarri. Si pasojë plumbi ka goditur xhamin e dritares duke e thyer. Gazetari i Abc, Simon Shkreli raporton se në banesë ndodheshin banorët.
Nga të dhënat paraprake dyshohet të jetë plumb pistolete. Po kryhen hetimet nga ana e policisë e cila ndodhen në vendin e ngjarjes.
Njoftimi i policisë
“Më datë 14.12.2022, rreth orës 20:00, një shtetas ende i paidentifikuar, duke qarkulluar me automjet, në rrugën “Hilë Mosi”, në lagjen “Skënderbeg”, në ecje e sipër ka qëlluar një herë, me armë zjarri, në ajër. Si pasojë predha e plumbit ka rënë në dritaren e katit të tretë të banesës së shtetasit Pal Sokoli, 57 vjeç. Nga rënia e predhës nuk ka mbetur i dëmtuar asnjë person.
Grupi hetimor ka sekuestruar menjëherë pamjet e kamerave të rrugës, në të cilat dallohet drejtuesi i automjetit që ka qëlluar një herë me armë zjarri, në ajër. Vijojnë veprimet, nën drejtimin e Prokurorisë, për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit. Shërbimet e Policisë vijojnë kontrollin e zonës dhe janë ngritur pika kontrolli, në të gjitha rrugët, me qëllim bllokimin e automjetit dhe kapjen e autorit.”, njofton policia.
/Abcnews.al/

