Kryeministri Edi Rama thotë se Shqipëria i ka mundësi për t’u renditur e para në rajon, sa i takon turizmit, por nënvizoi se duhet që përmes këtij sektori, të ketë rritje të të ardhurave dhe pagave.
Gjatë fjalës së tij në Konferencën Kombëtare për Arsimin dhe Formimin Profesional, Rama u shpreh se është e domosdoshme që të ketë edhe punonjës të kualifikuar.
Sipas kreut të qeverisë, sektori privat duhet të japë kontribut të drejtpërdrejtë financiar për arsimin profesional.
“Patjetër që, Shqipëria ka mundësi sot ta synojë padiskutim, jo vetëm vendin e parë me diferencë në turizëm, krahasuar me vendet e rajonit, në fund të kësaj dekade, por ka detyrimin që përmes kësaj të sjellë rritje të të ardhurave dhe të pagave. Që t’ia dalë, na duhen jo thjesht të kemi projekte me të bukura se të tjerët, jo thjesht të kemi më shumë investime çdo vit, që po ndodh, por edhe duke përgatitur rrugën për të kthyer këtë industri në një bazë të ardhurash të denja, për punonjës të kualifikuar, si duhet. Nëse kjo nuk do të ndodhte, të gjitha të tjerat do të shumëzoheshin me diçka afër zeros.
Është cilësia e shërbimit ajo që i bën vizitorët të rikthehen. Sektori provat duhet të marrë përsipër disa përgjegjësi më shumë. Kontribut të drejtpërdrejtë financiar për arsimin profesional, dhe nga një përfshirje serioze në këtë ndërveprim, pa të cilin nuk ia dalim dot si vend. Para pak ditësh, Shqipëria u vlerësua nga Standard and Poor’s, me një nivel të ri, për herë të parë vlerësimi, kaloi në 2B minus. Hapi tjetër është 2B plus. Ne kemi arritur shifrën rekord 1.5 miliardë euro investime të huaja direkte. Është vetëm fillimi i një trendi tjetër, për të shkuar në 3, 4 miliardë, është plotësisht e mundur.
Shumë kush, gabimisht mendon se anëtarësimi në Bashkimin Evrpian është proces që i takon qeverisë. Në fakt, jo. Anëtarësimi është përgjithësisht proces që i takon qeverisë, në momentin kur hapen negociatat, Bashkimi Evropian nuk negocion, vë përpara një listë të tërë kërkesash. Në këtë proces, Bashkimi Evropian shikon qeverisjen, shikon sistemin e drejtësisë, shikon agjencitë e tjera të pavarura, por shikon edhe sektorin privat”, theksoi ai./abcnews.al