Avokati Arbër Hoxha, në një intervistë në “Tirana Live” në ABC News foli për punën e SPAK, në këto pesë vite. Ai theksoi se edhe pse në fillim të krijimit të tij, kishte skepticizëm ndaj punës së SPAK, por është parë që ka bërë përparësi në shumë fusha.
Gjatë intervistës ai tha se SPAK ka bërë hapa të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit
“Nuk mund të gjykohet puna e SPAK si vetëm e mirë apo e keqe, pasi në tërësi në raport me luftën kundër korrupsionin dhe jakave të bardha, patjetër ka bërë përparësi. Pas më parë kishte skepticizëm edhe mes profesionistëve. Ndërkohë kam rezervat e mia në raport me luftën ndaj krimit të organizuar, pasi jo gjithçka që ka kaluar në dyert e SPAK mund të konsiderohen si grup i strukturuar kriminal. Pasi ka prej tyre që nuk plotësojnë disa pika.
Avokati nënvizoi se ka ardhur koha që SPAK t’i lehtësohet pjesa dërrmuese e veprave penale. “Ka ardhur koha që SPAK të lehtësohet nga pjesa dërrmuese e veprave penale. Duhet të ketë njëlloj rikualifikim të veprave që janë në kompetencë të SPAK. Mendoj se duhet t’i jepet një frymëmarrje nga ana e ligjvënësit dhe të ridimensionohet puna e SPAK”, tha më tej ai.
Gjithashtu avokati shtoi se duhet të rritet bashkëpunimi mes Prokurorisë së Posaçme dhe gjykatës, duke shpjeguar se në një shtet të së drejtës gjykata qëndron mbi palët.
“Drejtësia në këtë vend nuk jepet nga prokuroria, drejtësia në këtë vend jepet nga gjykata. Jo domosdoshmërisht puna e gjykatës duhet të qortohet sepse ka rrëzuar një apo dy kërkesa të SPAK. Pra jo domosdoshmërit duhet të jetë noter i prokurorit. Duhet të rritet bashkëpunimi mes prokurorisë së Posaçme dhe gjykatës. Është gjykata filtri që cakton dhe është gjykata që jep drejtësi jo Prokuroria. Në një shtet të së drejtës gjykata qëndron mbi palët”, u shpreh avokati.
Ai gjithashtu komentoi edhe deklaratat e ish-kryeministrit Berisha, kundër kreut të SPAK Altin Dumani.
“Sa për deklaratat e Berishës, mund të them që nuk janë të përshtatshme, dhe nuk është e moralshme t’i nxjerrës fotografi familjare. Mund të thuhet zoti Berisha është konseguent në atë që bën, por edhe zoti Dumani është konseguent në atë që bën dhe nuk besoj se zoti Dumani trembet nga deklaratat e Berishës”, tha më tej avokati Arbës Hoxha. /abcnews.al/