Nga Leontina Nika
Trashëgimia etnografike konsiderohet pasuri unike e kulturës shqiptare. “Epitafi i Gllavenicës” kryeartefakti i muzeologjisë shqiptare realizuar në vitin 1373. I gjendur në bazilikën e Shën Mërisë në Ballsh, ai paraqet figurën e Krishtit të vdekur, shtrirë mbi një çarçaf dhe rrethuar nga shenjtorë, serafinë e engjëj. Kjo pasuri unike vjen i endur me fill të artë nga artistja e talentuar Egla Memaj e cila e ripropozuar në një format të ri, sa bashkëkohor, aq dhe tradicional.
“Epitafi i Gllavenicës ikona e qëndisur dhe arritja kulmore e traditës etnografike mesjetare. Vjen në formen time e zbërthyer figurativisht në 27 vepra të reja”
Sërish pas tre viteve, ashtu si në ekspozitën e saj të parë personale “Psalm”, Egla sërish sjell me kërshëri për publikun një dashuri të harruar, atë për qëndistarinë, tashmë e përkthyer në figura biblike e motive frymëzuar nga “Epitafi i Gllavenicës.
“Këto punime janë realizuar përgjatë 3 viteve , duke punuar nga 8 orë në ditë. Qëllimi kryesor i imi është zgjimi i interesit për etnografinë dhe vlerat kombëtare të harruara.”
Në ekspozitën e saj të dytë personale, Egla ruan të njëjtën formulë një ndërthurje mes tradicionales dhe bashkëkohores.
“Epitafi i Eglës” endur kryesisht në fill të artë, na fton në një përftim të ri mbi këtë kryevepër të trashëgimisë sonë kulturore. Në sfonde monokrome, ajo herë propozon figurën qendrore të Krishtit e herë simbolikat që e rrethojnë atë. Janë aty këtë radhë Shën Mëria, Engjëjt vajtues, Joan Teologu, Profetët, Katër Ungjillorët dhe vetë Mesia… shtrirë si kometë në gjumin e përkohshëm. Si e tillë, e gjithë ekspozita është një tribut ndaj vlerave etnografike, një thirrje për rivlerësimin e asaj pasurie të shquar liturgjike, por dhe një dialog me të shkuarën… si ftesë për të mos harruar.
/abcnews.al