“Të rihapet Liceu Francez”, kërkesa u bë gjatë kohës që presidenti Macron ishte në Shqipëri

schedule20:11 - 2 Dhjetor, 2023

schedule 20:11 - 2 Dhjetor, 2023

Mjeku kardiolog në pension, Ilia Skendi, nuk i ka reshtur asnjëherë përpjekjet për të hapur sërish një shkolle franceze në qytetin e Korçës, ku ashtu si prindërit e tij edhe të rinjtë e sotëm të studiojnë në një shkollë që përçon kulturën dhe qytetarinë franceze.

Gjate vizitës se Macron në Tiranë, në një takimi në Pallatin e Brigadave dhe në prani të Kryeministrit Edi Rama, Ilia Skendi ka lexuar kërkesën e 50 familjeve korçare, të cilat i kërkojnë presidentit francez rihapjen e liceut francez në Korçë, që u mbyll për shkak të pushtimit të Shqipërisë nga Italia dhe që nuk u rihap gjatë regjimit komunist.

Liceu francez i Korçës pas shkollës së parë shqipe, është ndoshta hapi më i rëndësishëm në arsimin e kohës. I njohur ndryshe si liceu Kombëtar, u çel më 25 tetor 1917 me vendim të krahinës Autome të Korçës, që u themelua me ndihmën e Qeverisë franceze e që ishte njëkohësisht dhe protektore.

Në vitin 1921 u riemërua si lice Kombëtar e vazhdoi deri ne vitin 1939, kur Shqipëria u pushtua nga Italia. Aty u regjistruan 1115 studentë por e kanë përfunduar vetëm 240 prej tyre.

Filozofia e shkollimit të këtij liceu e kishte bazën tek trinia e revolucionit francez; liri, barazi, vllazërim. Disa nga studentët e këtij liceu, u bënë personazhe të rëndësishëm të jetës dhe historisë së vendit.

Keshtu si ;Enver Hoxha, Abaz Ermenji, Mahir Domi, Vedat Kokona, Selman Riza, Ptoleme Xhuvani, Dhimitër Shuteriqi, Nonda Bulka, Anton Mazreku, Kolë Paparisto, Misto Treska… dhe shume të tjerë.

Mes këtyre studentëve kanë qenë dhe prindërit e Ilia Skendit, babai i të cilit pas studimeve për mjekësi dhe specializimeve të ndryshme, mori postin e ministrit te Shëndetësisë, post nga i cili u largua me deshirë, për t`iu kushtuar shkencës

Por fatet e ish liceistëve janë nga më të ndryshmet, disa u burgosën dhe internuan, disa që kishin fatin më të keq, u pushkatuan. Ironia e fatit është se u dënuan dhe pushkatuan nga ish-shoku i liceut dhe me pas mësimdhënësi i tyre. Fati me tragjik i takoi studentes së parë të diplomuar nga ky lice, Sabiha Kasimati, e cila pas përfundimit të liceut, u shkollua në universitetin e Torinos dhe u pushkatua pa gjyq me 26 shkurt 1951, për ironi të fatit, me urdhër të shokut të saj të klasës, Enver Hoxha.

Pas gjithë këtyre viteve, përvec jehonës që ka pasur kjo shkollë, ëndrra për t’u rihapur, duket shumë pranë. Gjate vizitës se Kryeministrit Rama në Paris, konfirmohet se është marrë garancia në parim për ta rihapur këtë lice në qytetin e Korçës.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!