“Të punosh me Trump, e vështirë”/ Zelensky: I gatshëm për bashkëpunim me këdo që zgjidhet president i SHBA

schedule23:27 - 18 Korrik, 2024

schedule 23:27 - 18 Korrik, 2024

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky thotë se do të jetë diçka e vështirë të punosh me Donald Trump nëse ai rizgjedhet si president i SHBA-së.

Në një intervistë ekskluzive me BBC në Londër, Zelensky deklaroi se është i gatshëm të punojë me këdo që është në pushtet në SHBA.

Vetëm disa ditë më parë, Trump shpalli senatorin e Ohajos JD Vance si kandidatin e tij për zv.president. 39-vjeçari në të kaluarën ka thënë se “nuk i intereson çfarë do të ndodhë me Ukrainën në një mënyrë apo në tjetrën”.

Nominimi ka ripërtërirë frikën se angazhimi i SHBA ndaj Ukrainës mund të bjerë nëse Trump kthehet në Shtëpinë e Bardhë.

“Ndoshta atij vërtet nuk i intereson, por ne duhet të punojmë me Shtetet e Bashkuara”, u shpreh Zelensky për BBC.

Udhëheqësi ukrainas ndodhet në Britaninë e Madhe për një takim të Komunitetit Politik Evropian, ku mbajti një fjalim pasditen e së enjtes.

Ai më parë u takua me kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar Keir Starmer, i cili ka deklaruar se do të mbështesë Ukrainën për “për aq kohë sa duhet” dhe është zotuar të shpenzojë 3 miliardë paund për ndihmën për vendin./abcnews.al