Ish-kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, ka mbërritur sot në Gjykatën Kushtetuese, pasi gjykata zhvillon seancën për shqyrtimin e ankimit të tij kundër vendimit të qeverisë që e shkarkoi nga detyra.
Veliaj, i cili ndodhet në paraburgimin e Durrësit që prej muajit shkurt, pritet të shoqërohet në Tiranë me urdhër të Drejtorisë së Burgjeve, pas kërkesës së gjykatës për t’i mundësuar pjesëmarrjen. Seanca pritet të nisë në orën 10:00, dhe relatore e çështjes është gjyqtarja Sonila Bejtja.
Një ditë para seancës në gjykatën kushtetuese për ankimin e Erion Veliajt kundër shkarkimit, avokati I tij është tërhequr nga çështja për konflikt interesi. Largimi i avokatit vendos në diskutim zhvillimin e gjyqit për shkak se Veliaj duhet të zgjedhë një mbrojtës të ri dhe ta pajisë atë me prokurë përfaqësimi.
Vendimi për shkarkimin e Erion Veliajt u mor më 25 shtator nga Këshilli i Ministrave, pas propozimit të Këshillit Bashkiak të Tiranës, duke u mbështetur në nenin 62, pika “c” të ligjit për vetëqeverisjen vendore, me argumentin se ai kishte munguar në detyrë për më shumë se tre muaj.
Pas këtij zhvillimi, Presidenti Bajram Begaj dekretoi më 1 tetor zgjedhjet e pjesshme për Bashkinë e Tiranës, por edhe ky dekret u kundërshtua nga Veliaj në Kushtetuese. Me një vendim të ndërmjetëm, gjykata pezulloi zbatimin e dekretit derisa të shqyrtohet përfundimisht ligjshmëria e shkarkimit.
Seanca e sotme pritet të jetë vendimtare për fatin politik të Erion Veliajt dhe për ecurinë e drejtimit të kryeqytetit.

