Të prekurit nga tërmeti në Lezhë, Këshilli Bashkiak miraton 160 bonuse strehimi

schedule14:24 - 17 Dhjetor, 2019

schedule 14:24 - 17 Dhjetor, 2019

Këshilli Bashkiak i Lezhës miratoi 160 bonuset e strehimit për familjet që tërmeti ju dëmtoi shtëpitë. Në mbledhje pati dhe debate në lidhje me përputhshmërinë e çmimeve të tregut të banesave me vlerën e bonusit të përcaktuar.

Është miratuar bonusi i strehimit për 160 familjet e para që janë dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit në Lezhë. Gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak, Kreu i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu sqaroi se familjet u përzgjodhën pas verifikimeve të banesave të tyre nga ekspertë.

“Shpërndarja është mikse, janë marrë parasysh të gjitha banesat e pallateve të reja që janë të dëmtuara dhe pjesërisht të dëmtuara të cilat do të rikonstruktohen dhe më pas banorët mund të hyjnë”.

Ndërsa në lidhje me shembjen e banesave që janë vlerësuar si të pabanueshme Ndreu sqaron….

“Prevalon pallati 88 i cili ka qenë një specifikë të veçantë, mendoj se duhet të mblidhemi prapë për të marrë vendimin për shembjen e këtij pallati”.

Në këtë mbledhje u ngrit dhe një problematikë nga këshilltari Agostin Marku që sugjeron se duhet të rishihet vlera e miratuar e bonusit pasi nuk ka përputhshmëri me çmimet e tregut.

“Çmimi që kemi miratuar ne është më i ulët se çmimi i tregut edhe pse kemi shfrytëzuar gjithë hapësirën ligjore por gjithsesi duhet të rishikohet ky çmim”.

Gjithsesi në mbyllje të mbledhjes këshilltarët miratuan 160 bonuset e strehimit./abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!