Të mbijetuarit nga kampet e internimit kujtojnë dramat e jetës në diktaturë

schedule17:35 - 18 Gusht, 2019

schedule 17:35 - 18 Gusht, 2019

Të internuarit në diktaturë nuk harrojnë që çdo vit të mblidhen tek memoriali në Lushnje. Por disa grave që kanë përjetuar dramat në atë periudhe nuk u ka pëlqyer prezenca e disa socialistëve.

Të mbijetuarit e kampeve të internimit  u mblodhën në memorialin kombëtar të internim-dëbimeve ngritur në qytetin e Lushnjes. Për ish të internuarit dhe pasardhësve të tyre u çel një ekspozitë fotografike me materiale arkivore nga persekutimi komunist në zonën e Lushnjes.

Për herë të parë u bë publike dosja me materialet e përgjimit të përdorura ndaj njerëzve nga komunistët dhe albumi me fotografi për personat që u arratisën nga Shqipëria.

Në takim u mbajtën fjalime nga përfaqësuesit e pranishëm të ardhur nga Tirana, por edhe nga bashkia. Pak pas fillimit  nga salla u ngritën disa gra që kanë qenë të internuara në Lushnje, të cilat kërkonin largimin e deputetit Bashkim Fino. Ato e quanin hipokrizi, prezencën e Finos në këtë aktivitet. Pas debateve dhe ngritjes së zërave një pjesë e të pranishmeve braktisën sallën. Gjithashtu edhe kryetari i Bashkisë Lushnje, Fatos Tushe u largua nga salla sapo nisën debatet.

Uran Kostreci, ish i dënuar politik, Simon Mirakaj anëtar i Autoritetit të Dosjeve madje dhe vetë Bashkim Fino, e cilësuan ngjarjen si traumë psikike e shkaktuar nga regjimi komunist ndaj këtyre personave.

Një pjesë e historisë së 13 kampeve të internimit ne Lushnje është sjellë nëpërmjet kësaj ekspozite fotografike me shtëpitë e ndërtuara sidomos në Savër, kryeqendra e familjeve intelektuale shqiptare./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!