Kryeministri Edi Rama zhvilloi një bisedë të hapur me rreth 40 rektorë të universiteteve publike dhe private, e fokusuar në cilësinë e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor në vend. Gjatë takimit u diskutuan sfidat dhe reformat e nevojshme për përmirësimin e institucioneve universitare, roli i tyre në procesin e integrimit europian, investimet e Bashkimit Europian, si dhe nevoja për rritjen e kapaciteteve institucionale dhe përshpejtimin e proceseve të akreditimit.
Kryeministri theksoi gjithashtu rëndësinë e investimeve në infrastrukturë dhe zhvillimin e kampuseve universitare në Tiranë dhe Durrës, si pjesë e përpjekjeve për ta bërë arsimin e lartë më efikas dhe më të aksesueshëm për studentët.
“Të gjithë të ulemi dhe ta shikojmë gjënë në sy. Sfida është dhe hajde që ta rregullojmë të gjithë së bashku. Universiteti është aleati më i rëndësishëm i institucioneve të vendit dhe të vetë vendit në një proces për integrimin për Bashkimin Europian. Investimet nga BE për Universitetit të Tiranës jepet çdo vit. Duhet ta vlerësojmë më shumë këtë kapacitet dhe ta vendosim në kushtet që të jetë më efikas në territor. E treta është çështja e akreditimeve.
Ambicia tani është që ta çojmë në një nivel tjetër dhe të rrisim kapacitetin institucional për të përshpejtuar çështjen e akreditimit. Kemi bërë goxha ndryshim dhe investime në infrastrukturë, që janë goxha domethënëse, por jemi akoma larg për mbushjen e kushteve për të përballuar sfidat dhe nevojat. Kemi dy kampuse të mëdha përpara kemi kampusin e Tiranës dhe kemi përpara kampusin e “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Me trenin që do jetë në funksion shumë shpejt, do të jetë shumë e thjeshtë që studentët në Tiranë të strehohen në kampusin e Durrësit, të ndihmojmë në zgjidhje të studentëve për çmimet e larta. Të gjitha këto programe të përbashkëta kanë sjellë një tjetër rrugëtim dhe dije se ku është Europa dhe universitet sot”, tha Rama.