Ish drejtori i doganave në Kosovë, Naim Huruglica thotë se shkëmbimi tregtar midis Shqipërisë dhe Kosovës është rritur, por ende jo në potencialin që duhet. Në një intervistë për “Money Report”, ai eksperti u shpreh se mes dy vendeve mungojnë investimet e përbashkëta në fusha të ndryshme.
“Nuk them se nuk ka zhvillime. Sapo bëra një analizë të fundit të doganave të Kosovës, dhe shihet rritje edhe këtë vit, janar-nëntor, Kosova ka eksportuar mbi 150 milionë euro në Shqipëri dhe nga Shqipëria mbi 300 milionë euro mallra. Ajo që më shqetëson është se edhe nga e kaluara, akoma mbetemi në nivelin e shkëmbimit tregtar me mallra gjysmë të përpunuara apo në shkëmbimin e shërbimeve si turizmi por s’kemi investime të rëndësishme. Nëse lëmë anash autostradën, i vetmi investim i përbashkët i ndihmuar nga Gjermania ishte ndërtimi i internjeksionit elektrik, por nuk ka një zhvillim ku të gjesh investim të përbashkët sidomos në fushën e prodhimeve, nuk ka me çfarë mund të krenohesh. Këto akoma mungojnë. Po rrisim trendin tregtar, por mallra gjysmë të përpunuara, që origjina nuk është 100 përqind e vendeve tona.”, u shpreh ai.
Sipas tij, ekziston një spektizicëm nga kompanitë e dy vendeve, kjo për shkak edhe të pengesave që mund të ketë pasur nga autoritetet.
“Sikur ekziston jo një bindje e plotë në biznesin në Kosovë dhe Shqipëri për të bërë biznes të përbashkët. Kemi më shumë kompani shqiptare në Kosovë, kryesisht në fushën e shitjeve me produkte të huaja, por nuk kemi një prodhim ku dy shtetet, bizneset ose investimet e përbashkëta publike do të ndihmonin zhvillimin ekonomik të të dy vendeve.”, shtoi Huruglica.
Si shembull përmendi turizmin, që sipas tij, mund të krijohen oferta të përbashkëta turistike për të dy vendet. Më tej, ai shtoi se duhet të krijojmë një sistem unik doganor.
“Te sistemi doganor aktual, Kosova ka prezencë të doganave të veta në kufirin me Shqipërinë, por mund të krijojmë një sistem unik doganor që të heqim kontrollin doganor. Ana kosovare mund ta bënte shërbimin doganor për mallrat që hyjnë në Shqipëri dhe e anasjellta. Besoj se gjithmonë ka mundësi ku ndoshta edhe këta kufij administrativë, t’i shndërrojnë në kufij vizualë.”, u shpreh Huruglica./abcnews.al