Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij foli për platformën ‘Anti-KÇK’, ndërsa deklaroi se të gjitha strukturat janë gati të përballen me krimin.
“Tani më ne kemi në dispozicion një instrument jashtëzakonisht të fortë në duart e shtetit, të Policisë së Shtetit dhe OFL-së. Duhet të paraqesim provat e burimit të pasurisë së tyre. Me pasuritë e tyre do të rrisim rrogat tuaja. Do të mbështesim më tutje akademinë. Me mjetet e tyre motorike do të shtojmë kapacitetet motorike të Policisë së Shtetit.
Paketa Anti KÇK parashikon kufizimin e lëvizjes së tyre. Makinat e stërblinduara nuk do të jenë në shesh. Nuk do të gëzojnë më asnjë licensë. Kanë sisteme videosh e survejimesh, por nuk do ti gëzojnë ose duhet të provojnë që të gjitha këto i kanë blerë duke shitur patate.
Gjykatësit dhe Prokurorët e godasin Policinë e Shtetit më keq se me plumba, e godasin jo përballë por mbas shpine. Ju siguroj që ne jemi bashkë, për ti bërë ata bashkë atje ku e kanë vendin. Jam i bindur që në këto vite ju nuk jeni tradhëtuar, në këto vite ju jeni respektuar dhe kushtet tuaja janë përmirësuar, ndërsa rroga është rritur edhe pse kjo nuk mjafton. E përditshmja juaj është një luftë e madhe në shërbim të atdheut. Jam shumë krenar që së bashku në këtë fazë me këtë paketë mund ti japim atdheut fytyrën e pastër të dinjitetit edhe në sytë e miqve dhe partnerëve tanë dnërkombëtarë. Ata që janë veshur me pushtetin informal të krimit në gjykata dhe prokurori nuk mund të ua bëjën ferr jetën atyre që kujdesen për atdheun”, deklaroi Rama.
Rama tha se ata që kanë pasuri të mëdha do të duhen ta justifikojnë brenda 48 orëve pasurinë e tyre.
“Brenda 48 orësh duhet të plotësojnë kërkesat e formularit për burimet e pasurisë së tyre. Pastaj, formularët do të shkojnë tek SPAK-u dhe pastaj në Gjykatë. Ata duhet të dëshmojnë se sa shumë e kanë punuar tokën dhe sa shumë portokalle kanë mbledhur, se sa shumë janë lodhur dhe stërmunduar në fasoneri, se sa shumë kanë kursyer nga puna e tyre e stërndershme brenda dhe jashtë vendit nëse duan të mbajnë pasurinë. Përndryshe, gjithçka që ata kanë sot do të jenë pronë e shtetit dhe në radhë të parë e Policisë së Shtetit.
Gjithçka! Kjo nuk do të vazhdojë në ato proceset fantastike gjyqësore që na kanë bërë gazin e botës ku në fund fare persona me burgim të përjetshëm dalin për të punuar në komunitet. Kjo ka afate. 48 orë formulari, deri në 15 ditë SPAK-u, pastaj deri në 15 ditë gjykata dhe pastaj lamtumirë prona juaj! Me pasuritë e tyre do të rrisim rrogat tuaja. Do të shërbejnë si burim për të shpërblyer punën tuaj, do të rrisim mbështetjen për fëmijët e policëve të vrarë, do mbështesim Akademinë e Sigurisë,” tha më tej Rama.
/abcnews.al