Të huajt interes për natyrën shqiptare/ Spathara: Turistët janë rritur me 40 përqind, duhen më shumë investime

schedule14:32 - 21 Qershor, 2023

schedule 14:32 - 21 Qershor, 2023

Turizmi i aventurës po zhvillohet gjithnjë e më shumë në Shqipëri. Një lloj turizmi që përfshin një sërë aktivitetesh dhe që mori hov veçanërisht pas pandemisë me mbylljen e kufijve, ku shumë njerëz në pamundësi për të lëvizur jashtë vendit po fillonin t’i drejtoheshin ofertave aktuale brenda vendit.

Por interes për turizmin e aventurës në Shqipëri ka edhe nga të huajt, ku shumë e preferojnë atë më shumë se bregdetin. Në një intervistë për “Sheshi i Dollarit”, Alma Spathara nga Federata Shqiptare e Rafting, tha se Shqipëria është një vend ideal për këtë lloj turizmi dhe turistët janë rritur me 40 %.

“Pas pandemisë, viti 2021 ka pasur dyndje nga turistët vendas kurse në vitin 2023 ka më tepër turistë të huaj, një rritje e konsiderueshme. Përgjithësisht ofrojmë paketa turistike të eksperiencës apo të natyrës. Turistët janë rritur me gati 40 përqind, më së shumti vijnë nga Evropa. Shqipëria nuk është më një destinacion i panjohur, jo vetëm bregdetar. Shqipëria duhet të ketë fokus për turistët e eksperiencës dhe aventurës pasi shkëlqen në këtë sektor.“, shtoi ajo.

Megjithatë, ajo shtoi se është e nevojshme që të ketë më shumë investime në këtë lloj turizmi duke rritur standartet, cilësinë e shërbimeve dhe sinjalistikat.

“Duhet të respektohen të gjitha masat e sigurisë. Së pari, veshja. Guida të jetë e trajnuar dhe të njohë shumë mirë territorin. Kemi parë që javët e fundit ka pasur edhe aksidente nëpër lumenjtë dhe kanione. Ndaj duhet të investojmë më tepër tek ky turizëm, tek sinjalistika, komunikimi për turistët dhe të trajnojmë guidat.” theksoi ajo.

“Patjetër që ka nevojë për investime të reja sepse me këto ritme që ka marrë do të kërkohen më tepër shtëpi pritëse pa prishur natyrën tonë të virgjër. Këtë vit të gjithë bizneset e mikëpritjes kanë pasur problem stafin e kualifikuar. Po vuajmë për burime njerëzore sepse ky lloj turizmi e ka shumë të rëndësishme faktorin human.”, tha mes të tjerash Spathara./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!