Të hënën vendoset autorizimi i SPAK për arrestimin e Berishës/ Pampuri: Mbështesim çdo vendim, pse nuk po reagon Basha

schedule18:00 - 15 Dhjetor, 2023

schedule 18:00 - 15 Dhjetor, 2023

Ditën e hënë në datën 18 dhjetor do të mbahet mbledhja e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, për shqyrtimin e kërkesës së SPAK për dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin e ish-kryeministrit Sali Berisha.

Nënkryetarja e Partisë Demokracisë, Oriola Pampuri ka deklaruar në “News Line” se do të jetë prezente dhe do të mbështesë çdo vendim të SPAK.

Ajo ka theksuar se më në fund në Shqipëri po lind shpresa për drejtësi, që të gjithë e kanë dëshiruar prej kohësh.

“Unë do të jem prezent në çdo propozim që sjell SPAK. Është një strukturë që sjell drejtësinë në këtë vend dhe më në fund po vendoset kjo drejtësi. Në Shqipëri po lind shpresa që të ketë një drejtësi të paanshme. Unë kam besim që SPAK po bën detyrën dhe po rikthen shpresën që më në fund në Shqipëri ka drejtësi. Unë do të jem aty për çdo vendim të SPAK. Mua nuk më vjen mirë kur bëhen hetime të tilla, pasi bëj pjesë në opozitë dhe kur hetohen persona që janë në anën e saj.

Vota ime do të jetë PRO çdo kërkese që vjen nga SPAK. Salla mund të shndërrohet në ambient lufte, por vota jonë do të jetë PRO dhe do të bëjmë të pamundurën që të jemi në sallë”.

Sa i përket një mosreagimi nga Lulzim Basha lidhur me situatën e Berishës, Pampuri u shpreh se ai nuk ka qene prezent në media, por ka qene prezent në terren pa pushim. Ajo ka thënë se Basha do të flasë kur të vijë momenti.

“Lulzim Basha nuk ka qene ne media, por ka qene prezent në terren pa pushim. Keni parë takimet në terren, në SHBA, me përfaqësues të Bashkimit Europian dhe takimet në terren janë një hap i rëndësishëm. Qendrimi i Zoti Basha jemi ne të gjithë. Ai ka zgjedhur këtë mënyrë dhe kur të vij momenti do të flasë”./abcnews.al