Nesër mblidhet Këshilli Politik, ish-gjyqtari i Strasburgut për hapjen e listave: Shkelet Kushtetuta

schedule18:43 - 19 Korrik, 2020

schedule 18:43 - 19 Korrik, 2020

Nga Juxhin Mustafaraj

Këshilli Politik do të riaktivizohet sërish paraditen e të hënës për të disktuar mbi ndryshimet kushtetuese që iu mbivendosën marrëveshjes së 5 qershorit. Për herë të parë, krahas anëtarëve të përhershëm të Këshillit Politik, shkallët e Pallatit të Kongreseve do t’i ngjisë edhe kryeministri Rama, i cili do të mbrojë përpara anëtarëve të Këshillit, propozimin e listave të hapura dhe heqjen e koalicioneve parazgjedhore.

Në kohë kur Këshilli Politik do të diskutojë mbi ndryshimet kushtetuese, kreu i opozitës, Basha do të jetë duke zhvilluar një vizitë zyrtare në Kosovë ku do të takohet me drejtuesit më të lartë politikë.

Por në krah të Oerd Bylykbashit dhe Petrit Vasilit, do të jetë numri dy i demokratëve, Gazment Bardhi. Edhe opozita parlamentare do të rris përfaqsimin në tryezë, ku krahas Rudina Hajdarit, deputetët e grupit demokrat kanë propozuar që në tryezë të jetë edhe drejtuesi i tyre, deputeti Myslim Murrizi.

Partia Demokratike dhe aleatët e saj, kundërshtojnë mbivendosjen e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor kur kanë ngelur më pak se 1 vit nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Ndërkohë që kryeministri Rama është treguar i vendosur për të mbështetur propozimin e ardhur në Kuvend nga opozita parlamentare që hap listat e kandidatëve për deputetë dhe heq nga kushtetuta përcaktimin për koalicionet parazgjedhore.

Por disa orë para zhvillimit të mbledhjes së Këshillit Politik, ish-anëtari i Gjykatës së Strazburgut, juristi Ledi Bianku ka apeluar që të mos ndryshohen rregullat elektorale në Kushtetutë apo në ligjin zgjedhor pa pasur disa garanci.

Bëhet fjalë për pragun elektoral, për të cilin Ledi Bianku sjell një vendim të Gjykatës së Strasburgut.

“Për kujtesë Këshillit Politik,- në Yumak dhe Sadak k. Turqisë, 2008, Gjykata e Strasburgut u shpreh se pragu elektoral mund të pranohet, por kur ka sisteme korigjuese, të tilla si koalicionet zgjedhore dhe kur ka garanci institucionale dhe procedurale – Gjykata Kushtetuese”

Në ndryshimet kushtetuese që do të diskutohen në tryezën e Këshilli Politik, një nga pikat prek edhe pragun elektoral.

Deputetët e opozitës parlamentare kërkuan fillimisht që pragu të ngrihej nga 3% që është aktualisht, në 5%, por më vonë e kërkuan 2%. Ndërkohë që në zgjedhjet e fundit, pragun 3% e kaluan vetëm 3 parti politike, PS, PD dhe LSI./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!