Të hënën mbledhja e katërt e përbashkët e qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë

schedule14:20 - 26 Nëntor, 2017

schedule 14:20 - 26 Nëntor, 2017

Pasditen e të hënës, Korça do të presë mbledhjen e katërt të përbashkët të qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës. Gjithçka pritet të nisë rreth orës 16:00, ndërsa parashikohet edhe nënshkrimi i disa marrëveshjeve, që u shtohen një serie të gjatë firmash të hedhura në letër.

Të tjera marrëveshje bashkëpunimi pritet të nënshkruhen në mbledhjen e katërt të përbashkët të qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës. Firma mbi firma që u shtohen atyre të dakortësuara në tre mbledhjet e mëparshme, të gjitha me synimin që përsëritet, afrimin e dy shteteve pikësëpari ekonomikisht, ku premtimet për lehtësime doganore ndjekin njëra-tjetrën.
Mbledhja e parë e përbashkët u zhvillua në Prizren më 11 janar 2014, ku Edi Rama kishte në krah Hashim Thaçin, atëherë kryeministër. Shtëpia e Lidhjes së Prizrenit ishte sfondi ku u hodhën firmat e para, përmes të cilave palët i premtonin njëra-tjetrës bashkëpunim, ndërsa qetësonin Europën se bashkimin e dëshironin në gjirin e saj.

Mbledhja e dytë e përbashkët u zhvillua më 23 mars 2015, këtë herë në Tiranë. Në krye të Qeverisë së Shqipërisë përsëri Edi Rama, ndërsa Prishtina kishte ndryshuar Kryeministër, duke u prezantuar me Isa Mustafën. Edhe këtu boja e penës nuk u kursye, ndërsa firmat u hodhën mbi 5 marrëveshje, 4 memorandume dhe dy protokolle bashkëpunimi. Shqiptarëve në dy anët e kufirit që prisnin të kuptonin çfarë do të ndryshonte në jetët e tyre, iu tha se nënshkrimet konsolidonin një proces pa kthim, që ka si synim bashkimin kombëtar përmes anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Një tjetër vit kaloi dhe më 3 qershor 2016 dy qeveritë u mblodhën përsëri, për të tretën herë, këtë rradhë në Prishtinë. Të tjera marrëveshje, të tjera memorandume mirëkuptimi, të njëjtat garanci për Brukselin.
Mbledhja e katërt e përbashkët do të mbahet në Korçë. Gjithçka pritet të nisë rreth orës 16:00 dhe kush parashikon të shohë përsëri firmosje marrëveshjesh nuk do të zhgënjehet. Ndërkohë Edi Rama vijon të përcjellë homologët kosovarë dhe në këtë edicion të katërt të tryezave të përbashkëta, do të ketë në krah Ramush Haradinajn, me të cilin do të ndajë edhe konferencën për shtyp. Për të mos qenë një kopje e tre mbledhjeve të mëparshme, dy qeveritë do të spostohen së bashku më datë 28 nëntor në Vlorë, ku rreth mesditës do të marrin pjesë ne ceremoninë për shpalljen e pavarësisë. Pas ngritjes së flamurit, pritet që të publikohet zyrtarisht edhe logoja e vitit mbarëkombëtar të Skëndërbeut. Më pas, të dy ekipet do të udhëtojnë drejt Tiranës, ku i pret Presidenti i Republikës, Ilir Meta./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!