Të fundit për financimin në shëndetësi, Manastirliu: Krahasimi duhet bërë me veten

schedule14:11 - 10 Shtator, 2019

schedule 14:11 - 10 Shtator, 2019

Buxheti për shëndetësinë në gjashtë vitet e fundit sipas Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastriliu është rritur me 43%.  Pas raportit të Eurostat që na rendit të fundit në Evropë për financimet në shëndetësi Manastirliu thotë se krahasimi duhet bërë me veten.

Shqipëria sipas zyrës europiane të statistikave qëndron e fundit në Evropë për financimin e shëndetësisë. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu nuk mohon, por sugjeron pritjen e rezultateve të një tjetër institucioni ndërkombëtar.

“Le të presim të dhënat e fundit që do të ketë OBSH për të përcaktuar dhe për të patur një qartësi mbi shpenzimet nga xhepi dhe financimet në shëndetësi dhe për ta riparë pikërisht në funksion të përmirësimit të shërbimeve të kujdesit shëndetësor”, tha ministrja.

Ndërkohë që buxheti për shëndetësinë në bazë të GDP-së sipas Eurostat e rendit vendin tonë 3.5 herë më poshtë se mesatarja e Bashkimit Europian dhe dy herë ndaj vendeve të rajonit, ministrja Manastirliu në një intervistë për ABC News thotë se krahasimi duhet bërë me veten ndër vite.

“Duhet bërë krahasimi me gjashtë vite më parë. Ku ishte financimi për shëndetësinë dhe ku jemi sot. Sot rezultojmë në një përqindje të rritur krahasuar me gjashtë vite më parë. 43% është më i lartë buxheti për shëndetësinë se në 2013”, tha Manastirliu.

Cilësia e shërbimeve shëndetësore matet nga financimi publik, por sipas Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ky nuk është treguesi i vetëm.

“Ka edhe të dhëna të tjera që referojnë për sistemin se sa i mirë është një sistem shëndetësor, sa i aksesueshëm është një sistem shëndetësor. Indikatori që mat eksesin dhe cilësinë në shërbime vlerësohet rreth 77% që do të thotë nga 100% të mundshme, krahasuar ky me vende evropiane dhe të rajonit. Kjo nuk do të thotë që nuk kemi më për të bërë. Shpenzimet publike për shëndetësinë duhet të vazhdojnë dhe të jenë në rritje të vazhdueshme ashtu siç ne e kemi treguar. Kemi treguar që shpenzimet nga xhepi janë ulur vit pas viti sepse financimi për shëndetësinë është rritur”, tha Manastirliu.

Pagesat që shqiptarët duhet të bëjnë nga xhepi për të marrë shërbim shëndetësor sipas Eurostat zënë mbi 50% të shpenzimeve ndërsa ministrja thotë se synimi është reduktimi gradual i tyre deri në arritjen e objektivit për mbulim shëndetësor universal./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!