Nesër në mbrëmje, në parlamentin grek pritet të zhvillohet votimi për Marrëveshjen e Prespës. Pavarësisht debateve të forta që po zhvillohen dhe protestave të paralajmëruara duket se kryeministri grek Tsipras ka siguruar 151 votat që i duhen për ratifikimin e marrëveshjes.
Në parlamentin grek ka filluar të mërkurën seanca plenare për votimin e Marrëveshjes së Prespës. Mbrëmjen e kaluar, drafti i marrëveshjes u miratua nga komisioni parlamentar i politikës së jashtme, ku pati polemika të ashpra mes opozitës dhe qeverisë. Ana proceduriale parashikon që diskutimet të zgjasin dy ditë dhe marrëveshja të hidhet për votim përfundimtar vonë, mbrëmjen e të enjtes.
Siç tregojnë gjasat, kryeministri Tsipras i ka siguruar 151 votat e nevojshme për votimin e marrëveshjes. Përveç 145 deputetëve të SYRIZA-s në pushtet, kanë deklaruar se do të votojnë pro dhe tre deputetë nga partia e ish-ministrit të Mbrojtjes Kammenos, si dhe tre të pavarur. Debati pritet të zhvillohet në një atmosferë të elektrizuar.
Të enjten, është paralajmëruar një protestë e re para parlamentit, kundër marrëveshjes, ndërsa do të afrohet ora e votimit. Gjithashtu, organizatorët kërkojnë që shkollat dhe bizneset të qëndrojnë të mbyllura, ndërsa qytetarët të nxjerrin në dritaret e tyre flamujt kombëtarë të vendosur në gjysmë shtizë./abcnews.al