Tatimi i profesioneve të lira/ Tatimet korrigjojnë këstet e parapagimit, ulen me 30%

schedule13:58 - 31 Maj, 2024

schedule 13:58 - 31 Maj, 2024

Rishikohet kësti paraprak për një kategori tatimpaguesish duke përfshirë paraprakisht shpenzimin minimal prej 30% për profesionistët e lirë.

Pas  ngërçit të krijuar me këtë kategori  e cila u ankua se nuk i ishin njohur shpenzimet e zbritshme, administrata ka arritur në përfundimin se për një kategori prej rreth 9.000 tatimpaguesish mund të merret parasysh shpenzimi minimal në masën 30%, sikurse e njeh ligji.

Sipas drejtorisë së tatimeve në total në vend janë rreth 25.000  mijë subjekte që ofrojnë shërbime profesionale në total.

Në rillogaritjen e tatimit janë përfshirë 3 kategori si Tatimpaguesit, që gjatë vitit 2024 figurojnë me dy përgjegjësi tatimore ata që kishin këste të gjeneruara për periudhën janar-mars 2024 dhe personat fizikë me qarkullim deri në 1 milion lekë.

Në këtë mënyrë një tatimpaguesi që i është llogaritur kësti 102 mijë lekë  kësti i parapagimit që paguhet në muajin prill për muajin maj, pas korrigjimit, i është  zbritur 30%  dhe ky biznes do të paguajë 70,200 lekë.

Administrata Tatimore thekson se këto janë parapagime dhe se përllogaritja finale e Tatimit mbi të Ardhurat do të kryhet në deklaratën vjetore të vitit 2024.

Gjykata Kushtetuese do të shqyrtoj  në 18 qershor ankimimin e grupeve të interesit në lidhje me tatimin e profesionistëve të lirë. Ata kërkojnë pezullimin e këtij ligji me argumentin se i ka krijuar kosto shumë të larta.

Tatimpaguesit që ofrojnë shërbime

  • Në total  25 mijë subjekte
  • Përfitojnë ulje  9 mijë subjekte

Rillogaritja e tatimit:

  • Kësti ishte   102 mijë lekë
  • Bëhet            70.200 lekë