Tatimet ndryshojnë “strategji” për vjeljen e detyrimeve, Brahimaj: Mos na detyroni të vëmë gjoba

schedule16:29 - 11 Qershor, 2021

schedule 16:29 - 11 Qershor, 2021

Fundjavën e kaluar 1521 biznese të sektorit të turizmit në zonën e Vlorës nuk kanë deklaruar asnjë kupon tatimor. Drejtoresha e Tatimeve Delina Brahimaj deklaroi gjatë takimit me përfaqësues të këtij sektori se ndryshe nga sezonet e kaluara, këtë vit kërkesë-llogaria do të bëhet ndryshe.

Ajo u shpreh se duke qenë një ndër sektorët më të prekur nga pandemia, subjektet nuk do të gjobiten por do të negociohet me ta deri në shlyerjen e detyrimeve.

“2111 tatim pagues në Vlorë në sektorin e turizmit. 1521 gjatë fundjavës së kaluar nuk kanë shtypur kasë, Është përqindja më e lartë e të gjithë qyteteve të tjera. Është një shifër shumë shqetësuese. Nuk duam të veprojmë me gjoba. Shumicat e subjekteve sikur të deklarojnë çdo kafe të shitur nuk kanë për të paguar tatim-fitim. TVSH është 6%.

Një pjesë e këtyre e bëjnë për forcë zakoni dhe u duket normale. Është detyra jonë t’i kontaktojmë dhe t’u japim mundësi të vetërregullohen. Është një numër shumë i lartë subjektesh që deklarojnë vetëm një të punësuar. Ne e dimë që nuk mund ta mbash hapur vetëm nga mëngjesi deri në darkë”, deklaroi Brahimaj.

Ajo ceku edhe dy problematika të tjera në këtë sektor, paga minimale dhe pagesa në të zezë. Brahimaj u shpreh se janë identifikuar ato biznese që marrin një pagë më të lartë se ajo që deklarohet.

“Pjesa më e madhe e subjekteve operojnë me paga minimale. Është e patolerueshme që një kuzhinier të jetë me pagë minimale. Kur paguhet me 10-fishin e pagës minimale. Kemi identifikuar ato profesione që paguhen pjesërisht në të zezë dhe do t’i kontaktojmë për të reflektuar. Kjo është një politikë që po ndjekim prej një viti dhe ka funksionuar më mirë se forca dhe lufta që është bërë më parë kundër informalitetit” u shpreh ajo. m.v/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!