Tatimet dhe doganat, sektorët që shkaktuan gropën e zezë

schedule15:43 - 18 Prill, 2022

schedule 15:43 - 18 Prill, 2022

Nga Erblina Mile

Afro 1/6 e abuzimeve krijohet nga mosmbledhja e të ardhurave nga tatimet dhe doganat. KLSH raporton se nga 616 milionë euro dëm ekonomik, vetëm nga moszbatimi i kodit doganor dhe zbatimit të legjislacionit tatimor dëmi financiar llogaritet 16.7 miliard lekë ose 137.7 milionë euro

Bazuar në rezultatet e këtij auditimi të KLSH-së, konstatohet se nga strukturat përgjegjëse nuk janë ndjekur metodat e vlerësimit doganor lidhur me mallrat e importuar në Republikën e Shqipërisë sipas kërkesave të kuadrit rregullator në fuqi. Në shumë raste është pranuar transaksioni dhe kur vlerat e artikujve kanë qenë nën referencë. Ndërsa në dogana ka pasur praktika të keqklasifiuar në kundërshtim me kodin tarifor të artikujve të importuar. Ky abuzim është bërë për të shmangur detyrimet doganore.

Një tjetër shkelje është dhe mospagimi i taksës kombëtare të ambalazhit plastik apo dhe të akcizës duke krijuar borxhe në buxhetin e shtetit.

Nisur nga të gjitha këto shkelje, KLSH ka kërkuar ngritjen e një grupi të veçantë për të vënë para përgjegjësisë abuzuesit.

Për sa i përket sektorit tatimor janë konstatuar shkelje nga inspektorët që nuk kanë respektuar legjislacionin duke mbyllur sytë para abuzimeve.

Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, abuzime ka pasur dhe pronat shtetërore. Në total dëmi në këtë sektor llogaritet 462 milionë lekë. Problematikat nga auditimet e KLSH janë gjendur në monitorimin e  kontratave të qirasë 1 euro ku janë shpallur fitues subjekte private të cilët nuk përmbushin kriteret për burimin e financimit të investimit të deklaruar.

Auditimi i KLSH u shtri në 205 subjekte shtetërore. Për të gjitha këto shkelje u kallëzuan penalisht 62 zyrtarë, 6 prej të cilëve në SPAK. /abcnews.al