Plani i ri tregtar i Shteteve të Bashkuara, që parashikon vendosjen e tarifave me vlerë 200 miliardë dollarë për produktet kineze është kritikuar ashpër nga Pekini. Qeveria kineze e ka cilësuar lëvizjen e Uashingtonit një sjellje tipike të gangsterizmit tregtar.
Kina është shprehur e tronditur nga plani i Shteteve të Bashkuara për të vendosur tarifa të reja, duke përshkallëzuar kështu luftën tregtare mes dy vendeve. Në lëvizjen e fundit, Uashingtoni ka hartuar një listë me një sërë produktesh që nëse taksohen arrijnë në kuotën e 200 miliardë dollarëve. Njoftimi i palës amerikane vjen vetëm pak ditë pasi dy vendet futën në fuqi tarifat me vlerë 34 miliardë dollarë për mallrat e njëra-tjetrës dhe ka gjasa që të konkretizohet në shtator. Nga ana e tij, Pekini zyrtar e ka cilësuar manovrën e Shteteve të Bashkuara tërësisht të papranueshme e që sipas tij do të dëmtojë të gjithë botën. “Kërcënimi i fundit i Amerikës për vendosjen e tarifave prej 200 miliardë dollarësh është sjellje tipike e gangsterizmit tregtar”, ka deklaruar zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze. Ajo ka nënvizuar se qeveria kineze do të marrrë gjithashtu kundër-masat e saj, për të mbrojtur interesat e saj legjitime. Lista e re e hartuar nga Uashingtoni përfshin mbi 6 mijë artikuj, përfshirë këtu kondicionerët, duhanin, mobiljet, mallrat ushqimore, mineralet, etj. Hartimi i saj ka ardhur në kuadër të reagimit të institucioneve amerikane, që akuzojnë Kinën për shkelje të pronësisë intelektuale dhe vjedhje të teknologjisë. /abcnews.al


