TAP nis punimet në det, Rama: Garanci për ekonomi të qëndrueshme

schedule15:51 - 19 Tetor, 2018

schedule 15:51 - 19 Tetor, 2018

Në nisjen e punimeve për seskionin detar të gazsjellesit Trans Adriatik Pipeline Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama deklaroi se kjo industri do të krijojë mundësi punësimi për qytetarët. Gjithashtu, Rama vleresoi se TAP do të garantojë një ekonomi të qëndrueshme dhe konkuruese në një të ardhme shumë të shpejtë.

Nisën punimet  për ndërtimin e seksionit detar të Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP), në Seman të Fierit. Ky seksion do të lidhë segmentin shqiptar të TAP me atë italian, me gjatësi 105 km. Por ajo cka është shumë e rëndësishme për kryeministrin Edi Rama që inauguroi fillimi e punimeve, është përllogaritja e përfitimit në të ardhura.

“Ekonomia shqiptare, falë gazsjellësit do të përfitojë afro 1 miliardë euro injeksion në dy dekadat e ardhshme dhe këtë e thotë një studim i Universitetit të Oksfordit”.

Të ardhurat në ekonominë shqiptare pritet të sjellë edhe nafta e gjetur në Shpirag shprehet kryetari I qeverisë megjithëse  pranon se ende nuk është vërtetuar plotësisht.

“Jemi në pritje të tymit të bardhë, që përfundimisht do të përcaktojë të vërtetën lidhur me një eksplorim shumë të rëndësishëm të SHELL-it në Shpirag dhe besojmë shumë që së shpejti do të kemi një lajm që do të jetë jashtëzakonisht pozitiv për të ardhmen e  ekonomisë shqiptare. Lajmin që nafta e gjetur është e komercializueshme dhe mund të hyjë së shpejti në treg, duke sjellë të ardhura të mëdha për ekonominë tonë, gjë që ka rritur jashtëzakonisht shumë edhe interesin për naftën tonë të shumë aktorëve të tjerë të rëndësishëm globalë”.

Kreu i qeverisë bëri me dije se është drejt finalizimit një proces për futjen e energjisë diellore. Për të cilin ka pasur shprehje interesi nga shumë kompani të njohura ndërkombëtare.

“E po ashtu jemi në procesin e zgjidhjes së një tjetër ngërçi të madh të së shkuarës, një “By-Pass Fieri” në formë termocentrali, i bllokuar atje në Vlorë, një tjetër gërmadhë, por prej shumë e shumë vitesh, e cila do të rimerret dhe do të kthehet në një nyje nevralgjike të sistemit të së ardhmes përsa i përket gazit”.

Ky seksion detar prej 105 km që nisi punimet do të lidhë fizikisht Shqipërinë me Italinë dhe është një gur themeli për të përfunduar punimet e TAP, deri në vitin 2020. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!