Refik Halili, presidenti i Tiranës, pas ndeshjes së fituar me Teutën është ndalur dhe ka folur për mediat. Një nga temat e diskutuara ka qenë ajo e zgjedhjes së “Air Albania Stadium” për të luajtur ndaj durrsakëve. Kreu i klubit bardheblu ka folur edhe në lidhje me atë që ka plus skuadra këtë sezon, ndërkohë që nuk i pëlqen të komentojë shumë mbi faktin që për kapitenin e skuadrës ka vetëm pak minuta në fund.
STADIUMI – “Pa tifozë nuk ka festë, pa tifozë nuk ka futboll. Jam menduar gjatë ndeshjes, kanë qenë një përzgjedhje që e kanë bërë edhe lojtarët, por dëshira ka qenë shumë e madhe e imja për ta bërë këtu ndeshjen me Teutën. Po mendojmë gjatë, pasi kemi edhe 2 ndeshje të tjera që do t’i luajmë këtu, me Kukësin dhe Partizanin. Kështu që i bën mirë skuadrës”, u shpreh fillimisht Halili.
DHURATA – Më pas, për ABC News dhe mediat e tjera të pranishme, Halili zbuloi edhe vendimin tjetër që ka marrë klubi për mbështetësit: “Për tifozët do të mendojmë që t’ia shpërblejmë shpenzimin që ata bënë në këtë stadium, ku do bëhet bërë një pagesë më e shtrenjtë se te stadiumi ynë. Shpresojmë që t’ia lajmë në një ndeshje në vazhdimësi. Pra, më mirë t’ju them që do ta bëjmë falas një ndeshje. Do mundohemi të kompensojmë tifozët dhe të i dëmtojmë ekonomikisht, pasi jemi një vend me ekonomi jo të mirë”.
KARABECI – Mesfushori sivjet ka shumë pak hapësira, teksa janë Jurgen Çelhaka dhe Idriz Batha të preferuarit e stafit teknik. Ish-kapiteni u fut në fund në takimin me Teutën dhe presidenti Halili, i ngacmuar për këtë fakt, shprehet: “Për këtë gjë nuk mund të flas fare, sepse ne po shikojmë që lojtari më i madh i botës futet në momentin e fundit. Kështu që është normale. Ka edhe gjëra të tilla, nuk është problem as për mua, as për skuadrën”.
TIRANA NDRYSHE – Në fund presidenti i Tiranës, i cili ka pranuar se për lojtarët do të shpërndahet edhe një premio për fitoren me Teutën, tregon edhe se çfarë ka ndryshe kjo skuadër në krahasim me vjet. “Kjo skuadër ka grupin, shikoj që ka një bashkim dhe shumë gjëra të tjera. Po u jap vetëm një shembull, nuk ka grindje brenda.
Nuk ka njerëz të cilët duan ta pengojnë skuadrën. Ju do të thoni pse ka patur vjet? Pa dashje, po. T’ju jap një shembull të thjeshtë fare. Osmani për shembull që ka qenë lider në skuadër, ose qendërmbrojtësi që i ka luajtur të gjitha ndeshjet, qëndron në stol dhe nuk bën asnjë llaf. Dhe kur i nevojitet trajnerit është i gatshëm të luajë. Kjo i sjell ekuilibra të mira në skuadër”, përfundon Halili. /abcnews.al