Tamponët, data e rinisjes dhe protokolli: Çfarë ndodhi në takimin për futbollin

schedule12:21 - 9 Maj, 2020

schedule 12:21 - 9 Maj, 2020

Në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u paraqit ditën e sotme një përfaqësi e Federatës Shqiptare të Futbollit. Në takimin e nisur prej orës 10:30 dhe që zgjati pak më shumë se një orë, u diskutua mbi protokollin sanitar që ka harruar qeveria e futbollit shqiptar.

Pas mbledhjes, Ilir Shulku (Sekretar i Përgjithshëm i FSHF) dhe Edvin Libohova (President i Ligës Profesioniste të Futbollit) kanë folur mbi takimin e zhvilluar, ku ishin të pranishëm edhe Mira Rakacolli dhe Eugena Tomini, si përfaqësuese  të Komitetit Teknik të Koronavirusit.

Problemi kryesor është mungesa e tamponëve dhe nga ajo çka u tha, gjasat janë që të mos ketë testime për futbollistët. Shulku, mes të tjerash pohoi se klubet i plotësojnë kriteret dhe se u ngulmua në takim për rifillimin e përgatitjeve sa më shpejt.

Për këtë pritet edhe një përgjigje e shpejtë. Sa i përket tamponëve, ai shtoi se ka një dakordësi që të mos ketë, por lojtarët dhe stafet e klubeve do të kontrollohen herë pas here. Kjo për të mos rrezikuar përhapjen e virusit.

Libohova më pas saktësoi se është biseduar kryesisht në nivel teknik dhe janë bërë disa sqarime gjatë takimit të zhvilluar. Presidenti i Ligës, njëkohësisht edhe zëvendëspresident i FSHF, ai theksoi se presin një përgjigje të shpejtë dhe ajo mund të vijë për çështje orës apo ditësh.

Nga sa mësohet, parimisht Komiteti Teknik Koronavirusit pajtohet me draft-protokollon sanitar që u është propozuar, por do të shihet me kujdes edhe këto dy ditë dhe të hënën mund të ketë të reja. Në FSHF e dinë shumë mirë se 18 maji për nisjen e përgatitjeve është një datë që e komplikon kampionatin në vazhdim, por shpresohet që autoritetet të ndryshojnë qëndrim. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!