Policia e shtetit ka dhënë informacione në lidhje me aksionin e zhvilluar ditën e djeshme në Elbasan për kapjen e të shpallurve në kërkim për operacionin “Plumbi i Artë”, mes tyre edhe Talo Çela. Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan Ardian Çipa, së bashku me prokurorin e Rrethit Gjyqësor Elbasan Kreshnik Ajazi dhe prokurorin e çështjes Xhelian Seferi, në konferencë për shtyp bënë me dije se dje janë zhvilluar kontrolle në banesa dhe biznese, ndërsa janë arrestuar disa persona.
“Kontrollet e djeshme ishin në kuadër të masave për kapjen e personave në kërkim janë kryer disa kontrolle janë kapur disa shtetas, kjo punë do jetë intensive në vijim”, tha Çipa.
I pyetur nëse aksioni i djeshëm ishte për kapjen e të shumëkërkuarit Talo Çela, Çipa tha se hetimet janë duke vijuar ndërsa paralajmëroi se shumë shpejt do të ketë rezultate.
Pyetje: A ishte Talo Çela një person që po kërkonit dje dhe a dështoi operacioni?
Çipa: Hetimet për çdo person të kërkuar dhe aq më tepër për personin që ju përmendet janë intensive në rrugën e duhur dhe do ketë rezultate në këtë drejtim.
Dyshohet se Çela strehohej në një nga vendet që ka qenë objekt i kontrollit nga RENEA ditën e djeshme por ai ka mundur të largohet para se policia të mbërrinte atje. Kontrollet janë kryer në disa shtëpi dhe biznese, ndërsa operacioni është ende në vijim.
Ky ishte operacioni i radhës, pas atij të bujshmit ku ranë në pranga persona të njohur të botës së krimit pas dëshmive të Nuredin Dumanit dhe Henrik Hoxhës të cilët bashkëpunuan me drejtësinë dhe rrëfyen krimet.
Nga dëshmitë e tyre janë goditur 8 grupe kriminale, ndërsa janë zbuluar 32 persona të akuzuar për dhjetëra krime të rënda. 9 prej tyre ndodheshin në burg, 9 u arrestuan ndërsa 14 persona iu shpëtuan policisë. Mes tyre emra të njohur të botës së krimit, si Talo Çela, Florenc Çapja, Ervis Martinaj apo dhe Suel Çela.
Lexo edhe: Talo Çela një hap para policisë, si u iku nga “duart”, a u dekonspirua operacioni në Elbasan?
Krimet më të shumta Nuredin Dumani ka rrëfyer se i ka bërë me Talo Çelën, si dy ortak njohur me pseudonimet, Lala dhe Bubi, pjesë e të njëjtit grup kriminal, por që shoqëria mes tyre mori fund pas grabitjes në aeroportin e Rinasit, për ndarjen lekëve.
/abcnews.al