Në Tale të Lezhës mungon shërbimi mjekësor, edhe pse është një zonë turistike që në këtë periudhë fillon të popullohet nga mijëra pushues. Një vit më parë, një shtetas nga Kosova humbi jetën pasi autombulanca që vinte nga spitali i Lezhës pati vonesa në trafik.
Mungesa e shërbimit ambulator ka shoqëruar vizitorët dhe pushuesit që ndër vite zgjodhën plazhin e Tales.
Urgjenca më e afërt ështe në Tale 2, por aty nuk ka as makinë.
Ky shërbim është marrë nga spitali i Lezhës që ndodhet 20 kilometra larg bregdetit.
Një vit më parë, një shtetas kosovar humbi jetën pa mundur të marrë ndihmën e parë pasi autoambulanca vonoi për shkak të trafikut.
Për banorët e zonës, situata do të bëhet më keq gjatë sezonit turistik veror. Ata duan zgjidhje sa ende nuk ka nisur fluksi në plazh.
Për Albert Rrustin, kreun e njësisë administrative të Shënkollit, mungesa e shërbimit ambulator gjatë sezonit turistik është një problem.
Në Drejtorinë Rajonale të Shëndetësisë në Lezhë thuhet se në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, rasti është në vlerësim.
Drejtoresha e këtij institucioni, Zoje Pali, thotë se ky shërbim nuk do t’u mungojë këtë verë në bregdetin e Tales.
Në stinën e verës, në Tale dhjetëfishohet numri i rezidentëve ditorë, e kjo do të thotë më shumë pacientë që mund të kërkojnë shërbim urgjence./abcnews.al