Taksat e tatimet nga 1 janari 2019, përfitojnë punonjësit me pagë të lartë

schedule15:57 - 30 Dhjetor, 2018

schedule 15:57 - 30 Dhjetor, 2018

Një sërë ndryshimesh fiskale hynë në fuqi me ardhjen e vitit të ri. Ndër to renditen ulja e dividentit për bizneset dhe rritja e fashës së pagës që taksohet me 23%.

Punonjësit me paga të larta dhe bizneset janë dy kategoritë që kryesisht prej janarit të vitit 2019  do të përfitojnë nga ndryshimet në legjislacionin fiskal.

Rreth 15 mijë e 400 punëmarrësve sipas Ministrisë së Financave pritet t’u ulet barra fiskale me 2 mijë e 600 lekë në muaj. Kjo pasi fasha e pagës që taksohet me  23% do të rritet në 150 mijë lekë nga 130 mijë në muaj që është aktualisht.

Ndërsa bizneset nga janari tatim mbi dividentin do të paguajnë 8% dhe jo 15% që është aktualisht.  Ulja e tatimit mbi dividentin do të aplikohet edhe për fitimet e pashpërndara realizuar para vitit 2019 përfshirë rezervat dhe fitimet e kapitalizuara, me kusht që tatimi mbi dividendin, që i përket fitimeve të pashpërndara të viteve 2017 e më parë, të paguhet brenda datës 30 shtator 2019, ndërsa tatimi mbi dividendin për fitimin e vitit 2018 të paguhet brenda datës 20 gusht 2019.

Industritë fasone nuk do të paguajnë TVSH për lëndët e para, ndërkohë që shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor do të paguajnë tatim fitimi 5% dhe jo 15%. Normë të reduktuar tatim fitimi, 5% për një periudhë 10 vjeçare do të aplikohet edhe për bizneset e agroturizmit.

Ndërkohë që për produktet e duhanit do të paguhet akcizë më e lartë. Për duhanin e grirë, purot, cigarillos dhe cigaret me zëvendësues duhani taksimi shkon në 6 mijë lekë për kilogram nga 4400 që është aktualisht. Në listën e mallrave me akcizë është shtuar edhe cigarja elektronike.

Ndërsa në ligjin për taksat kombëtare janë propozuar dy ndryshime kryesore. I pari propozon që përqindja e rentës minerare nga 6%, të bëhet 9%, për “Mineralet e kromit për eksport” me ellim nxitjen e përpunimit te mineralit në vend. Ndryshimi i dytë synon uljen e taksës së ambalazheve mbi produktet e plastikës në 35 lekë, nga 100 lekë për kilogram që është aktualisht ndërsa për prodhimin brenda vendit, niveli i propozuar i taksës është 25 lekë/kg. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!