Taksa/ Vuçiç takon serbët e Kosovës: Nuk do t’i hedhim benzinë zjarrit

schedule22:42 - 22 Nëntor, 2018

schedule 22:42 - 22 Nëntor, 2018

Serbët e Kosovës janë ankuar tek presidenti Vuçiç për taksimin 100 për qind të produkteve serbe nga Prishtina. Ndërsa u ka premtuar se do t’i mbrojë, Vuçiç i ka kërkuar minoritetit serb të mos i hedhë benzinë zjarrit. Ndërkohë, analistët kanë paralajmëruar se reagimi i Beogradit mund të çojë në një konflikt të ngrirë.

Me fjalë, si në gjendje lufte. Tensionet në Serbi janë ngritur pas vendimit të Qeverisë së Kosovës. Presidenti serb, Alleksandar Vucic ka takuar një numër të madh të politikës dhe përfaqësuesve serb. Për orë të tëra ka dëgjuar ata. Nga kërkesat për tu mbrojtur me barrikada e deri tek mënyrat për tu furnizuar me ushqime, spitalet e ndihmat humanitare. Presidenti serb u premtoi serbëve se Serbia nuk do ti lë vetëm.

Aleksandër Vuçiç, President i Serbisë: “Kam shfrytëzuar rastin t’i lus serbët të mos bëjnë barrikada betoni apo gjëra që Prishtina mund t’i shfrytëzojë kundër tyre. Kemi folur për furnizime për spitalet dhe për ndihma, por duhet të kemi edhe një plan A, një plan B dhe një plan V”.

Serbët i thanë se nuk mund të jetojnë kështu më në Kosovë. Kanë shprehur frikë nga sulmet dhe njësitet special në veri. Dushan Janjic, nga forumi për marrëdhënie ndëretnike, thotë se Serbia ka mundësi të luftës diplomatike, të gjysëm masave, por edhe një konflikt të ngrirë.

Dushan Janjiç, Forumi për marrëdhënie ndëretnike: “Opsionet e Vuçiç janë: një mekanizëm i viteve ’90, që është shpallja e Asociacionit të Komunave Serbe, si dhe një presion i madh ekonomik dhe në aspektin e sigurisë në ato zona të Kosovës ku Serbia ka ndikim. Kjo nuk është pak, pasi mund ta çojë situatën buzë një konflikti të armatosur”.

Vuçiç i ka quajtur mënyra naciste djegien e prodhimeve serbe dhe të turpshme reagimet ndërkombëtare. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!