Një nga çështjet më të rëndësishme me të cilën pritet të përballet Albin Kurti në krye të qeverisë së Kosovës është jo e taksës ndaj Serbisë.
Diplomati Agim Nesho, teksa ishte i ftuar në studion e ABC News bëri një krahasim mes tij dhe Ramush Haradinajt në lidhje me këtë çështje. Sipas Neshos, Haradinaj është negociator i marrëveshjeve si Donald Trump.
Ndërkohë, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje pritet të hyjë në negociata i fortë dhe me letra të tjera sipas diplomatit.
“Edhe ish kryeministri Haradinaj qëndroi i fortë dhe nuk kishte mjet tjetër se rezultatet mbrapa shpine kishin ecur dhe avancuar shumë. Një pjesë e klasës politike në Kosovë duke përfshirë edhe PDK-në që propozuan vetë taksa dhe kryeministri qëndroi me integritet të plotë sepse nuk kishte argumente dhe nuk përballonte një presion ndërkombëtar për t’i ulur mezor në tavolinë për të zgjidhur këtë.
Unë mendoj që Albini duke patur këtë staturë mendoj që do qëndrojë i fortë. Taksa është çështje negocimi. Unë e kam thënë që Haradinaj është negociator i marrëveshje si Trump, qëndron fort këtu dhe për ta negociuar këtë në të ardhmen, por sigurisht kërkon një reciprocitet që nuk dukej nga ana e Serbisë. Albini futet me të tjera letra. Duket sikur plani për ndryshimin e kufijve po zbehet. Goditjen e parë vendimtare e shkatërruese e dha samiti i Berlinit.
Thanë që kjo është çështje europiane, kjo nuk mund të sjellë destabilitet dhe luftë në Ballkan, ne nuk e pranojmë. Kjo u përshëndet edhe nga vendet e tjera ballkanike. Ambienti nuk e pranonte sepse ishte njësoj hap Kutinë e Pandorës,dhe i lë shkas ndryshimit të territoreve, por hapjes së precedentëve i cili mund të çonte në një proces zinxhir jo të kontrollueshëm”, tha Nesho.
Lëvizja Vetëvendosje është edhe në Tiranë, e cila është angazhuar herë pas here dhe në protesta. Por a do të thotë kjo që Albin Kurti si lider i së ardhmes shkon përtej Prishtinës?
Sipas Neshos, Kurti mund të ketë projektet e tij, por në qoftë se në të ardhmen do të ketë bashkim kombëtar, Kurti duhet të ketë konsensusin e të gjithë kombit pasi bëhet fjalë për të ardhmen e shtetit të Kosovës dhe jo thjesht të një qeverisje premtuese.
“Ai mund të ketë projekte, unë nuk e paragjykoj. Është në filozofinë e Vetëvendosjes që të kishte një aksion mbarëkombëtar në të gjithë hapësirën shqiptare që të ishte dhe ky ka një të drejtë sepse është racionale që të gjithë shqiptarët mos të ngelen gjithnjë të ndarë. Kjo është e ardhmja e Shqipërisë në shekullin e 21. Mënyra si do të bëhet është me një konsensus edhe ndërkombëtar.
Nacionalizmi i vjetër ka vdekur. Nacionalizmi sot është mirëqenia dhe krijimi i kushteve për qytetarët. A krijohen nga një bashkim kombëtar kushtet? Sigurisht krijohen për arsye sepse bëhet një shtet më i fuqishëm, ka një bashkësi tregtare, komunikimi, një informacion më të gjerë. Bëhet një element më i rëndësishëm faktori shqiptar etj. Unë kam mendimin që në bisedimet ndërkombëtare mendoj që është përgjegjësi e madhe. Mendoj që ai nuk do ta mbajë më vete këtë gjë. Ka nevojë për një konsensus të një uniteti kombëtar sepse ka të bëjë me të ardhmen e shtetit të Kosovës, nuk është çështja e një qeverisjeje premtuese”, tha Nesho.
/abcnews.al