Takimi ShBA-Rusi në Gjenevë, reagojnë ukrainasit

schedule15:31 - 10 Janar, 2022

schedule 15:31 - 10 Janar, 2022

Ndërsa zyrtarët nga Shtetet e Bashkuara dhe Rusia takohen për bisedime në Gjenevë, disa banorë në Kiev shprehen të pakënaqur, sepse besojnë se Ukraina do të duhej të ishte e pranishme në tryezën e këtyre diskutimeve të rëndësishme për të ardhmen e vendit.

Disa banorë në Kiev shprehen të pakënaqur për mungesën e Ukrainës në tryezën e bisedimeve mes zyrtarëve të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë në Gjenevë.

Ata thonë se prania e palës ukrainase është e domosdoshme në diskutimet që vlerësohen si shumë të rëndësishme për të ardhmen e vendit.

“Nuk mendoj se do të duhej të ishte kështu. Ukraina do të duhej të ishte e pranishme në ato takime sepse është pala më e rëndësishme, më e rëndësishme edhe se Rusia ose Shtetet e Bashkuara. Ukraina duhet të ulet në rreshtin e parë“, thotë 59 vjeçari Oleh, banor i Kievit.

“Mendoj se bisedime të tilla mund të zhvillohen vetëm me praninë e Ukrainës, sepse çështjet e Ukrainës mund të shqyrtohen vetëm kur vendi ynë të jetë aty”, thotë Vitaliy, një banor tjetër.

Uashingtoni shpreson që përmes negociatave të shmanget mundësia e një sulmi të mundshëm të ushtrisë ruse ndaj Ukrainës, pa i pranuar kërkesat e Rusisë për sigurinë, ku Kremlini ndër të tjera ka kërkuar garanci që Ukraina të mos anëtarësohet në aleancën e NATO-s.

Ministri i jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, tha javën e kaluar se Uashingtoni dhe aleatët e tjerë të NATO-s, dhanë garanci se nuk do të merreshin vendime për Ukrainën pa u kansultuar vetë Ukraina.

“Ukraina duhet të jetë e pranishme në bisedime, sepse bëhet fjalë për sigurinë dhe të ardhmen e saj”, thotë një banore tjetër e Kievit.

Autoritetet ukrainase kanë filluar përgatitjet për t’u mbrojtur nga një sulm i mundshëm, ndërsa ngritën alarmin e grumbullimit të dhjetëra mijëra trupave ruse në afërsi të kufirit të tyre.

Të dilën në Kiev, banorët protestuan me pankarta ku shkruhej “Thuani Jo Putinit”.

“Shpresoj që amerikanët do të qëndrojnë në anën e ukrainasve. Putinit duket t’i tregohet vendi”, thotë Eduard Garf, banor i Kievit.

Sipas një sondazhi të dhjetorit nga Instituti i Kentakit për Studime Ndërkombëtare, 49 për qind e ukrainasve e shohin si kërcënim real pushtimin nga Rusia. 59 për qind e të anketuarve thonë se do të votonin “pro” dhe 28 për qind “kundër”, në një referendum për anëtarësimin e Ukrainës në NATO.

“Mendoj se në rastin tonë, NATO është mundësia më e mirë që kemi. Rusia, me kërkesat e saj, nuk mund t’i përcaktojë lëvizjet e Ukrainës”, thotë Denys, një banor tjetër.

Gjetjet tregojnë se 33 për qind e të anketuarve janë të gatshëm t’u bashkohen forcave të armatosura në rezistencën kundër Rusisë, ndërsa 21 për qind thonë se janë gati për veprime civile të rezistencës.

Nga viti 2014 në Ukrainën lindore zhvillohen luftime mes ushtrisë ukrainase dhe forcave të mbështetura nga Rusia, një konflikt që sipas presidentit Volodymyr Zelenskiy ka shkaktuar vdekjen e rreth 15 mijë njerëzve./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!