Takimi në Presidencë, Alibeaj tregon se çfarë bisedoi me Bajram Begajn

schedule11:55 - 6 Tetor, 2022

schedule 11:55 - 6 Tetor, 2022

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj ka zbardhur takimin e djeshëm me presidentin Bajram Begaj. Me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Alibeaj bën të ditur se i shprehu Presidentit se data e zgjedhjeve duhet të caktohet sa më herët brenda afateve që parashikon Kushtetuta dhe ligji.

Në takimin me kreun e shtetit, deputeti demokrat thekson se kërkoi nga Begaj që të shprehet për caktimin e datës pasi të përfundojë afati i i komisionit të reformës Administrative “në mënyrë që të mos bëhet pengesë për shqyrtimin e kësaj reforme.”

ENKELEJD ALIBEAJ NË FACEBOOK
“Me ftesën e dërguar prej Presidencës, zhvillova një takim me Presidentin e Republikës. Në respekt të institucionit dhe Kushtetutës bisedova me të për caktimin e datës së zgjedhjeve të ardhshme lokale.
I shpreha qëndrimin tonë se data e zgjedhjeve duhet të caktohet sa më herët brenda afateve që parashikon Kushtetuta dhe ligji.
Zgjedhjet janë e drejtë themelore e shqiptarëve, mundësia që ata kanë për të ndëshkuar pushtetin me votë.
Shqiptarët duan, madje kanë kërkesë ultimative që me votë të ndëshkojnë këtë pushtet sepse kanë një llogari të hapur me këtë regjim. Ndaj është detyrim yni që ti bindemi nevojës së tyre, dhe t’ia krijojmë këtë mundësi kushtetuese shqiptarëve. Sa më shpejt!
Të rëndësishëm vlerësova gjatë takimit edhe faktin që Presidenti i Republikës të shprehet për caktimin e datës pasi të përfundojë afati i komisionit të reformës Administrative – Territoriale (data 21 tetor), në mënyrë që të mos bëhet pengesë për shqyrtimin e kësaj reforme që kërkohet nga gjithë shqiptarët.” /abcnews.al/